Kisha Katolike insiston se Sabit Geci e ka ndërruar fenë dhe emrin, publikon pamje

Famullia e Shën Mihillit në Doblibarë ka publikuar fotografi të reja, të cilat, siç kanë thënë ata shfaqin momentin e pagëzimit të Sabit Gecit, ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Postimit të publikuar dje, ku siç njoftuan ata, Sabit Geci është konvertuar në katolik dhe me këtë rast e ka ndërruar emrin në Kastriot, ia kanë bashkangjitur edhe një foto nga pagëzimi i pretenduar i tyre.

Në anën tjetër, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sabit Geci ka mohuar kategorikisht se e ka ndërruar fenë dhe emrin. Ai edhe mbrëmë ka mohuar se ka përqafuar fenë katolike.

Madje, Geci ka thënë se nuk mund të konvertohet në katolik e as në mysliman, pasi ai nuk beson në asnjërën prej këtyre feve.

“Unë nuk di si mund të konvertohem pasi unë nuk besoj. Unë kisha pas dëshirë të besojë një gjë e atëherë me shkua me u konvertua. Unë besoj vetëm në kulturën shqiptare, kjo është feja ime kësaj i besoj dhe vetëm kësaj do t’i drejtohem”, ka thënë Geci.

Paraprakisht këtë lajm ai e kishte mohuar edhe gjatë ditës.

Për 28 Nëntor, Geci tha se e ka vizituar kishën në Llapushnik të Drenasit dhe një xhami në Podujevë, imamin e së cilës tha se e ka mik.

Ai madje ka thënë se ka kontaktuar edhe me faqen në fjalë që ka publikuar lajmin, por megjithatë postimi ende nuk është fshirë.