Po, Shqipëria ka filluar t’i ngjajë një plantazhi të kanabisit, që mbijeton nga paratë e drogës, Kosova është bërë vend ku të rinjtë presin radhë për të shtegtuar në Perëndim dhe ushqehet me paratë e mërgatës, shqiptarët e Maqedonisë vazhdojnë të hanë bukën e vet, si me qenë në shtëpi të huaj.
Por megjithatë, ka diçka që i bënë të njëjta të gjitha ‘Shipëritë’ tona: partitë politike në to janë shndërruar kryesisht në strehimore për të paaftët dhe ngjajnë në ‘kompani’ private të kryehajdutëve dhe kryebanditëve që i drejtojnë ato.
Kuptohet, gjitha këto vlerësime e kritika, burrështetasit shqiptarë i përballin me thënien: karvani do të shkojë përpara, sado të lehin qentë.
Sikur të mos e kishin ndje veten si kalorës, kritikët e tyre si qenë, e popullin si deve, ata që moti do e kuptonin se nuk quhet karvan tufa e hienave!
Siç do e vërenin prej moti se ka diçka që e gjen gjithandej nëpër shoqëritë shqiptare: politikanët e pasur dhe popullin e varfër!
Dhe kjo dukuri, që ka pllakosur shqiptarinë, pra këto “Shqipëri” ku jetojnë politikanët e mbijeton populli, ato i bëri të pabanueshme për rininë shqiptare dhe na solli deri këtu ku jemi sot: të ketë më shumë shqiptarë të davaritur nëpër botë, se sa në ‘Shqipëritë’ tona.
Dhe tani ecë e mos u pajto me thënien se ka katër gjëra që mund ti gjesh kudo në botë: tokën, ujin, ajrin dhe shqiptarët! (Kim Mehmeti)