Kikia: Nuk janë huliganë jo, janë pjesa më e pashpresë e shoqërisë

Mentor Kikia
Nuk janë huliganë jo, janë pjesa më e pashpresë e shoqërisë
Pro*testa në natën e dytë jashtë kontrollit. Grupe të rinjsh iu su*lën cdo gjejë që gjenin përpra, duke e shkatërruar. Një kaos i vërtetë. Shumëkush po përpiqet të analizojë se cfarë duhet të bëjë policia. Nëse është shumë, apo pak e dhu*nshme. Shumë te tjerë nxituan të thonë se nuk është pro*testë kjo, këta duhen zënë me dru se po prishin qytetin.

Por jo! Kjo nuk është një punë policie, as drejtësie, as punë Lleshi jo që jo. Ne po përpiqemi ti gjejmë zgjidhjen një problem që tani po e kërkon vetë zgjidhjen. Ose më saktë që, në përpjekje për tu vetezgjidhur, po na vë zjarrin të gjithëve. Ata të rinj nuk janë aty thjeshtë për dorëheqjen e ministrit të brendshëm. Madje mund të themi se as duan tia dinë për të.
Kjo valë zemërimi që u demonstrua në Tiranë është vetëm maja e ajsbergut. Ajo ishte sot edhe në Korce, dje ishte edhe në Elbasan. Kjo është një gjeneratë e mbushur me maraz, jo thjeshte me policinë, ministrin apo kryeministrin, kjo është gjenerata e zhgënjyer, e mashtruar, e pashpresë, me të cilën e për të cilin shteti nuk ka punuar fare. Ka prej tyre te pa arsimuar, sikundër ka edhe të arsimuar. Ka të punësuar e të keqpaguar, sikurse ka të papunë e pa profesion. Ka të yshtuar nga opozita, sikundër ka nga ata që s’duan tia dinë as për opozitë e as për qeveri. Sepse të gjithë sëbashku, ata janë të pashpresë.

Ata nuk urrejne pemën e festës dhe as stolat, ata urrejne pushtetarin dhe politikanin si model, që i vjedh, i mashtron, i merr paratë dhe shpresën dhe natë e ditë del nëpër ekrane televizorësh duke treguar lloqe për zhvillimin e Shqipërisë. Ata urrejnë korrupsionin, edhe pse nuk i njohin të korruptuarit kush janë. Ata janë të mbarsur me zemërim, me këdo e përgjithcka, e për këtë arsye, edhe me stolin, edhe me semaforin, edhe me pemën, edhe dritat.
Ju në qeveri, mo u lodhni kot ta quani këtë vepër të opozitës. As mos mendoni se zgjidhja është mbushja e burgjeve me adoleshentë. Sa më shumë të mendojmë ne të “zgjuarit” që kjo është punë huliganësh që duhen rrahur, aq më keq është. Sa më shpejt ta kuptojmë se kjo është pasoja më e rëndë e keqeverisjes në këtë vend, aq më mirë do të jetë, që të fillojmë të mendojmë se cduhet bërë.