Prokuroria e Shqipërisë ka nisur një hetim për “pastrim parashë” ndaj rrjetit të shkollave “Turgut Ozal” në Shqipëri. Sipas dyshimeve, investimet janë më të mëdha se të ardhurat. Por avokati i shkollave, ndërsa bëri një padi ndaj policisë, foli për shantazh, kontrolle të shuma, bastisje dhe turma policësh që mësyjnë në ndërtesa bashkë me kontrollorët. Këtë sjellje harbute të shtetit tonë, kur do të të bëjë gropën, ne e njohim shumë mirë.
Unë nuk e di se nga i merr paratë, dhe çfarë investimesh ka bërë ky rrjet shkollash. Por unë dhe shumë të tjerë këtu, dimë që kjo është shkolla më cilësore në Shqipëri. Përfaqësuesit dhe shpesh fituesit e olimpiadave në Shkencat e Natyrës, në nivel rajoni, janë nga kjo shkollë. Sot, kur në shkollat tona e gjithë puna është përqëndruar tek mbajtja e maskave, në këtë shkollë po bëhet seleksionimi i nxënësve për olimpiadat e Matematikës, Fizikës dhe Kimisë(foto e mëposhtme, e datës 20 tetor 2020).
Por shteti e ka vënë në rreth për ta mbyllur. Me gjasë, pas urdhërit që erdhi nga Ankaraja, për të shfarosur të gjithë sistemin arsimor që kishte mbjellë Fetullah Gylen.
Shkollat e “Turgut Ozal” janë sot investimet më serioze në arsimin në Shqipëri. Ne nuk e dimë sa reale janë dyshimet. Por taborrët e policëve që shkojnë të marrin dosjet nuk justifikohen kurrësesi. Por, ta zëmë se aty janë pastruar para. A kam të drejtë unë të them: Po në djall! Edhe në qofshin paratë e vetë Pablo Eskobarit, kur ndërtojnë shkolla, me standardin më të lartë, si ndërtesa e cilësi mesimdhënjeje, le ta bëjnë.(Ju lutem lëreni mënjanë shprehjen se para ligjit janë të gjithë njësoj).
Prokuroria, sikur ta niste hetimin per pastrimin e parave nga pallatet, rezortet turistike, kazinotë etj, nuk do të bënte keq. Jo më larg se një muaj më parë, FMN dha alarmin e pastrimit të parave në Shqipëri, përmes ndërtimeve, por asnjë se lëvizi gishtin. Ne mësojmë se dikush është “biznesmen i madh” ndërtimesh, ose kur e vrasin ose kur vret dikë për pazare droge apo prostitutash.
Në një vend ku ekonomia ka pluskuar mbi fekale informaliteti dhe krimi, shteti është lëshuar ti vërë kyçin një shkolle. Nuk është rezort turistik, as kazino, as hotel, as stadium, nuk është fabrikë konservash që i mbush me kokainë, por është SHKOLLË. Ndërsa luftojmë të përmirësojmë cilësinë e mësimdhënies, po i vihet kyçi një shkolle model në këtë drejtim. Ndërsa qeveritarët tanë krenohen në TV edhe kur lyejnë një shkollë me bojë, këtu po i vënë kyçin shkollave më infrastrukturën më të mirë edhe në rajon.
Unë mbështes mbylljen e një rrjeti medreseshë, por jo të shkollave, jo këtij modeli. Kjo është pasqyra ku ne duhet të vëmë arsimin tonë të shikojë veten. Im bir dështoi të futej në atë shkolle vite më parë dhe unë mërzinë e ktheva në respekt për standardin e sj. Ndërsa sot nuk dua të hesht, dhe i ftoj të gjithë të mos heshtin. Nuk dua të ndez cigaren në turrën e druve që djeg një shkollë. Dhe shkatërrimi i një shkolle është inkuizicion.