Numri i popullsisë së përgjithshme arrin 2 097 319 persona. Prej tyre 54,21 për qind janë deklaruar maqedonas, 29,52 shqiptarë, 3,98 turq, 2,34 romë, 1,18 serbë, 0,87 boshnjakë dhe 0,44 vllahë, tregojnë të dhënat e Regjistrimit 2021 që sot i bëri të ditur drejtori i Entit Shtetëror për Statistikë (ESHS), Apostoll Simovski. Sipas tij, popullsia e përgjithshme rezidente është 1 836 713 persona, ndërsa jorezidente 260 606 persona. “Nga popullsia e përgjithshme rezidente 58,44 janë maqedonas, 24,3 shqiptarë, 3,86 turq, 2,53 romë, 0,47 vllahë, 1,3 serbë dhe 0,87 boshnjakë, derisa nga popullsia jorezidente përfshirë me regjistrimin 24,45 janë maqedonas, 66,36 shqiptarë, 4,79 turq, 1,02 romë, 0,19 vllahë, 0,35 serbë dhe 0,81 boshnjakë”, ka thënë Simovski. Regjistrimi ka treguar se numri i amvisërive është 598.632. Komunë më e vogël në vend është Zërnovci, ndërsa më e madhe Kumanova. Janë numëruar edhe 207 vendbanime të zbrazëta. Numri i të huajve përkohësisht të pranishëm në vend më pak se 12 muaj është 1 674. “Regjistrimi është realizuar me sukses dhe profesionalisht. Ekipi i Entit Shtetëror për Statistikë (ESHS) tregoi se munden dhe dinë se është një nga institucionet më profesionale në vend”, ka thënë Simovski duke shtuar se të dhënat janë përpunuar në afat rekord. Publikimi i të dhënave të regjistrimit që është realizuar prej datës 5 deri më 30 shtator të vitit 2021 do të zhvillohet në mënyrë sukcesive sipas grupeve të të dhënave. Seti i parë që është publikuar sot përfshinë të dhënat për popullsisë e përgjithshme rezidente, popullsinë e përgjithshme jorezidente, gjini, moshë, përkatësi etnike, përkatësi fetare, gjuhë amë dhe gjuhë që flitet në amvisëri, numër të banesave dhe amvisërive dhe karakteristikat ekonomike të popullsisë, banesat, amvisëri, aftësinë e kufizuar… Para shpalljes së sotme të të dhënave, janë ndarë edhe mirënjohje ndaj institucioneve që kontribuuan për zbatimin e suksesshëm të këtij operacioni kompleks statistikor.