Këto janë masat e reja anti-COVID që hyjnë në fuqi prej nesër


Gjatë ditës së sotme pritet që Qeveria e Kosovës të miratoja masat e reja anti-COVID. Propozimet e Ministrisë së Shëndetësisë pritet që të hyjnë në fuqi prej nesër. Këto masa përfshijnë kufizimin e lëvizjes nga ora 22:00 deri në orën 05:00, ndërsa edhe veprimtaria e gastronomisë do të lejohet të zhvillohet deri në orën 21:00.

Kështu ka bërë të ditur, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti i cili tha se këto masa kundër COVID-19 synojnë ngadalësimin e përhapjes së variantit Omicron si dhe parandalimin e mbingarkesës së klinikave me pacientë.
“Diskutimet dhe propozimet e djeshme në Komitetin për Vlerësim dhe Koordinim kundër COVID-19 në fakt MSH i ka transformuar tashmë në propozime të cilat shkojnë sot në Qeverinë e vendit dhe pritet që sot gjatë ditës së miratohen masat e reja të cilat duhet të hyjnë në fuqi nga dita e nesërme. Definitivisht për këtë do të informoj qeveria sapo t’i ketë miratuar por e rëndësishme është që është arritur pajtueshmëri për disa masa të cilat synim primar kanë ngadalësimin e përhapjes së variantit Omicron i cili është variant dominues edhe në vendin tonë dhe të parandalojmë mbingarkesën e tepërt spitalore dhe të parandalojmë format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet nga COVID”, u shpreh ai.

Hoti deklaroi për KosovaPress se qytetarët që hyjnë në Kosovë duhet të kenë të tri dozat e vaksinës anti-COVID, apo edhe dy doza dhe testin PCR negativ.

Ai u shpreh se do të angazhohen që të ketë zbatim dhe mbikëqyrje më të rreptë të këtyre masave, sidomos në qendrat tregtare.

“Sigurisht që do të ketë masa sa i përket hyrjes në vendin tonë, qytetarët që vijnë në vendin tonë sigurisht që do të kenë 3 doza apo 2 doza dhe testin PCR të freskët për të dëshmuar mund të ketë kufizime edhe të kalimit të disa shërbimeve nga forma e dhënies së shërbimeve fizike në online. Do të ketë kufizime sa i përket lëvizjes e dini që përpara ka qenë koha kur nuk ka pasur lëvizje nga ora 24:00 deri në 05:00 të mëngjesit, ndërsa tani kufizimet fillojnë nga ora 22:00 që automatikisht nënkupton që sektori i gastronomisë do të punoj një orë më pak që do thotë që veprimtaritë duhet të mbyllen në orën 21:00 si dhe do të ketë edhe masa tjera pa përjashtuar ndonjë sektor në mënyrë të veçantë. […] Ne presim që disa masa të prekin edhe qendrat e ndryshme tregtare ku qytetarët apo klientët që duhet të frekuentojë ato duhet të jenë të vaksinuar ose ata që refuzojnë vaksinimin duhet të kenë dëshmi mjekësore pse nuk mund të vaksinohen sepse kemi konsideruar se faktorët kryesorë që ndikojnë në rritjen e rasteve Omicron janë këto institucione apo veprimtaritë super shpërndarëse dhe qendrat tregtare janë disa prej tyre”, theksoi ai.

Meqenëse tashmë disa shkolla për shkak të rasteve pozitive me COVID kanë vazhduar mësimin në distancë, Hoti u shpreh se sistemi arsimor do të vazhdojë sipas skenarëve të paraparë më herët për vijueshmërinë e mësimit.

“Sa i përket sektorit të arsimit ekziston udhëzuesi për masat e përkohshme sa i përket COVID-19 i cili zbatohet në fushën e arsimit dhe vendimmarrja nëse një shkollë do të vazhdojë me prani fizike të nxënësve apo me cilindo prej skenarëve që janë në funksion i takon task-forcave të shkollave në bashkëpunim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe MASHT, dhe do të jenë edhe më tutje në funksion të tri opsionet të cilat janë zbatuar deri më tani”, u shpreh Hoti.

Gjatë 24 orëve në Kosovë, një person ka humbur jetën si pasojë e COVID-19, ndërsa janë regjistruar dhe 2 mijë e 708 raste të reja.