I madh ka qenë numri i aksidenteve në trafik përgjatë dy viteve të fundit. Kësisoj edhe shumë persona humbën jetën. Por nëse krahasohen periudhat kohore janar-tetor 2017 dhe janar-tetor 2018, mund të shihet se këtë vit numri i aksidenteve në përgjithësi ka qenë më i ulët.
Numri total i aksidenteve në këtë periudhë gjatë vitit 2017 ishte 14 mijë e 789 kurse në vitin 2018, 13 mijë e 195, raporton Indeksonline.
Ndërsa është i përafërt numri i personave që humbën jetën nga aksidentet përgjatë periudhës së njëjtë 2017-2018. Derisa në vitin 2017 humbën jetën 103 persona në të njëjtën periudhë kohore (janar-tetor) 2018 humbën jetën 102 të tjerë.
Policia e Kosovës verën e këtij vitit kishte formuar Task Force për parandalimin e aksidenteve pasi që korriku dhe gushti ishin përplot me aksidente fatale.
Policia vazhdimisht ka porositur të gjithë qytetarët, qofshin ata vozitës apo këmbësorë që të bëjnë kujdes të shtuar përderisa gjenden në trafik.