Këshilltari i Thaçit i reagon Talit të VV-së: Bredhje rrugëve të Londrës kur Amerika bombardonte Serbinë


Këshilltari i Presidentit Thaçi, Adil Behramaj i ka reaguar ashpër Driton Talit, këshilltarit të kryeministrit Kurti, të cilin e ka quajtur cinik dhe të paturp.
Behramaj deklaratën e Talit e ka quajtur si llomotitje cinike e të turpshme, pasi kur Amerika ka bombarduar Serbinë për ta mbrojtur Kosovën, këshilltari Tali ka ecur rrugëve të Londrës duke mos e mbrojtur pragun e shtëpisë.

Ai ka thënë se cinizmi dhe antiamerikanizmi nuk janë vlera të kësaj shoqërie, prandaj sipas tij së shpejti do ta përjetojnë, jo amerikanizmin, por vetminë politike.

Postimi i plotë nga Behramaj:

Sa të papërgjegjshme dhe antiamerikane e kemi Qeverinë dëshmon edhe ky mentaliteti i këshilltarit të Kurtit. “Kur do të na bombardojë Amerika?” – paska llomotitur Driton Tali, pas paralajmërimeve për tërheqjen e ushtarëve amerikanë nga Kosova.
Amerika, ti cinik i paturp, ka bombarduar kur i rrezikohej edhe mbijetesa popullit tonë. Kur të rinj e të moshuar, ecnin natë e ditë, në borë e shi, për ta marrë një armë dhe për ta mbrojtur pragun e shtëpisë. Për ta mbrojtur edhe pragun e shtëpisë tënde teksa t’i bridhje rrugëve të Londrës.

Amerika, ti cinik i paturp, ka bombarduar kur qytetarët tanë kishin humbur edhe besimin se një ditë do të jetonin të lirë.
Amerika ishte dhe vazhdon të jetë gjithçka për popullin tonë, në emër të të cilit soji yt tash tallet. Bombardimet e saj, që përfshijnë rreth 70 për qind të të gjithë intervenimit të NATO-s, ishin shpresa e vetme për Kosovën. Por, ti dhe shumë kolegë tuaj mosmirënjohës në atë zyre, sigurisht që nuk keni pasur sesi të përjetoni amerikanizmin si gjendje shpirtërore, meqë kishit ikur ndër të parët.

Amerika nuk bombardon, por ndihmon. Ashtu siç ka ndihmuar gjithmonë. Por, jo edhe atëherë kur Qeveria e Kosovës tregohet e papërgjegjshme.
Cinizmi dhe antiamerikanizmi nuk janë vlera të kësaj shoqërie, prandaj ju së shpejti do ta përjetoni, jo amerikanizmin, por vetminë politike!
Ky grafikon dëshmon sa ka bombarduar Amerika për ne.