Këshilli Penal sot do të vendosë për ankesën e avokatit të Muhamed Zeqirit për 30 ditët e paraburgimit. Zeqiri ndodhet në Burgun e hetimit në Shutkë që nga e premtja, pasi Gjykata Penale e pranoi kërkesën e Prokurorisë – që të caktohet masa e paraburgimit për shkak të rrezikut për arratisje, përsëritje të veprës dhe ndikim mbi dëshmitarët. Avokati i Zeqirit tha se në ankesë i ka hedhur poshtë të gjitha bazat për caktimin e paraburgimit.
Shtetasit kroatë të përfshirë në hetimin e Prokurorisë së Krimit të Organizuar janë ende të pakapshëm për policinë. Prokurorja Katerina Kolareviq tha se sipas informacioneve operative të MPB-së ata janë larguar nga vendi.
Nga Ministria e Brendshme për Alsat thonë se për ta deri më tani as nga Gjykata dhe as nga Prokuroria nuk ka arritur ndonjë urdhëresë. Nga Prokuroria përsëritën se edhe për ta kërkojnë masën e paraburgimit, por shtuan se një urdhër i tillë duhet të dërgohet në MPB nga Gjykata. Gjykata, nga ana tjetër, duke sqaruar procedurën, bën të ditur se fillimisht duhet të marrin njoftim zyrtar nga policia se nuk mund t’i gjejnë, e më pas të mund të lëshojnë urdhër për fletarrest ndërkombëtar.
Ndërkohë, hetimi i Prokurorisë i udhëhequr nga Vilma Ruskovska, në të cilin ish-nënkryetari socialdemokrat është i dyshuari kryesor, vazhdon të jetë objekt i grindjeve ndërpartiake. Ata kërkojnë përgjigje nga VMRO-DPMNE-ja se ku kanë përfunduar paratë, ndërsa LSDM-ja thotë se po bëjnë gjithçka që të ketë organe të pavarura gjyqësore, siç nuk ka pasur më parë.
“Kjo nuk është asgjë e re, në këtë qeverisje ka në çdo hap krim dhe korrupsion të tillë. Dhe ndoshta duhet të pyesim veten nëse ky është i vetmi krim apo punë e paligjshme e Muhamed Zeqirit. Krime të tilla sigurisht që ka më shumë, por prokuroria duhet të hetojë sa më shpejt të gjitha gjërat e dyshimta që ka bërë Muhamed Zeqiri. Çështja e dytë është nëse dhe sa para nga ato të marra nga Muhamed Zeqiri kanë përfunduar në xhepat e dikujt tjetër si provizione”, tha Dimçe Arsovski – zëdhënës i VMRO-DPMNE-së