Këshilli organizativ: Ja qëllimi i djegies së veturave të EVN-së

Policia po heton rastin për zjarr vënie të qëllimshme të dy veturave të Kompanisë EVN kurse në pranga ka përfunduar një i dyshuar 43 vjeç me inicialet K.O. nga Tetova. I dyshuari është ndaluar vetëm 10 minuta pas shpërthimit të zjarrit me çka dy vetura të Kompanisë “EVN” u bënë shkrumb e hi në dy lokacione të ndryshme në Tetovë. Është raportuar vetëm për dëme materiale.

Mbrëmë rreth orës 01.20 pjesëtarët e policisë së SPB-Tetovë kanë privuar nga liria personin K.O. 43 vjeç nga Tetova, i cili dyshohet se paraprakisht me mjet djegës i ka vënë zjarrin dy veturave ,,Daçia Duster“ dhe veturën “Nisan” të dyja me targa të Shkupit, të cilat janë në pronësi të EVN-Maqedoni”-tha Fatmir Rexhepi, Zëdhënës i SPB-Tetovë.

Zjarri u shkaktuan periudhën prej ora 00.40 deri më ora 01.10 në rrugën “Ivo Lola Ribar” dhe rrugën “180” në Tetovë. Me të raportuar rastin nga banorët, menjëherë në vendet e ngjarjeve kanë dalë ekipet zjarrfikëse, duke e lokalizuar zjarrin. Por, nga flakët është kapluar edhe një veturë civile e tipit “Golf” me targa të Tetovës. Nga kompania private “EVN” e dënojnë këtë akt.

Kompania “EVN-Maqedoni”:
“Dënojmë çdo formë të dhu*nës dhe vandalizmit. Edhe përkundër faktit që kryesi i veprës është arrestuar, EVN ndërmori masa për mbrojtje të punonjësve të saj dhe pronës. Kemi mirëkuptim për protesta paqësore, edhe pse nuk e dimë pse të njëjtat janë të drejtuara kundër nesh. Në të njëjtën kohë, dënojmë rëndë çdo lloj gjuhe të urrejtjes që mund të çojë deri në dhunë siç ndodhi mbrëmë.”

Ndërkaq nga ky incident distancohet kategorikisht Këshilli organizativ i protestave të cilët të enjten e 6 gushtit mbajtën protestë në disa qytete të vendit kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike. Nga atje thonë se afati prej 10 ditë pune për të tërhequr kërkesën e rritjes së çmimit të rrymës është “ar*mëpushim” ndonëse gjatë protestës kishte brohoritje të llojit “Bullgaria nuk është larg”. Organizatorët pretendojnë se këto zjarr vënie janë bërë me qëllimin që të ulin ndikimin e protestës për të cilën bëjnë thirrje për pjesëmarrje paqësore.

Adnan Qaili