Këshilli i Sigurimit në RMV mbajti mbledhje për gjendjen në Ukrainë: Institucionet të jenë të gatshme për reagim

Sot në Kabinetin e presidentit Stevo Pendarovski është mbajtur seanca e 15-të e Këshillit të Sigurimit në të cilën është diskutuar për gjendjen e sigurisë në vend dhe rajon lidhur me agresionin rus në Ukrainë, njofton Portalb.mk.

Në seancë kanë qenë të pranishëm, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, kryeministri Dimitar Kovaçevski, ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, por edhe anëtarët e emëruar nga presidenti: Trajan Gocevski, Nenad Markoviq dhe Veton Latifi.

Me ftesë të presidentit ka marrë pjesë edhe drejtori i Agjencisë së Zbulimit dhe zëvendësdrejtori i Agjencisë për Siguri nacionale dhe Eprori i Shtabit të Përgjithshëm të Armatës.

Gjithashtu në seancë nëpër linkut janë kyçur edhe ambasadori i Maqedonisë së Veriut në NATO dhe ambasadori në Ukrainë, të cilët informuan për ndodhitë më të fundit dhe për aktivitetet e ndërmarra në kuadër të NATO-s.

Në seancë u dënuan veprimet ushtarake të Rusisë ndaj Ukrainës, të cilët morën jetë njerëzish dhe kanë shkaktuar dëme materiale.

“Anëtarët e Këshillit konstatuan se gjendja e sigurisë në vend është stabile. Nevojitet që institucionet kompetente të vazhdojmë t’i ndjekin gjendjet dhe të përgatisin skenarë të mundshme në pajtueshmëri me zhvillimin e ngjarjeve, me qëllim të veprimit në kohë”, informojnë nga Presidenca.

Ata shtojnë se në seancë është informuar se vendi ka mjaftueshëm rezerva të mallrave dhe rezerva energjetike. Institucionet janë obliguar që çdo ditë t’i ndjekin gjendjet që të intervenohet nëse ka nevojë.

“Në lidhje me shtetasit e RMV-së të cilët ndodhen në Ukrainë, shteti ka ndërmarrë masa të domosdoshme për evakuimin e tyre të sigurt, por edhe të të punësuarve në Ambasadën në Kiev
, thonë nga Presidenca.

Si anëtare e NATO-s, prej atje thonë se janë në koordinim të vazhdueshëm me Aleancën dhe aleatët në lidhje me aktivitetet e ardhshme që do të ndërmerren nga aleatët.

“Anëtarët e Këshillit u informuan për aktivitetet që i ka ndërmarrë Qeveria në kontekst të pakos së masave restritive të BE-së, ndaj të cilave është kyçur edhe Maqedonia e Veriut, a të cilat përfshijnë masa targetuese për konstatimin e numrit të personave nga politika dhe biznesi të cilat kanë luajtur rol për situatën e krijuar në Ukrainë. Për ato do të ndalohet udhëtimi në vendet e BE-së, por edhe do të kenë ndalesë për qasje deri te financat dhe fondet e BE-së”, theksojnë nga Presidenca.

Këshilli i Sigurimit ka dërguar apel deri te të gjithë aktorët politik që të sillen me përgjegjësi dhe përmbajtje nga fjalori nxitës dhe shpërndarja e dezinformatave të cilat janë në kundështim me interesat nacionale të shtetit, duke e pasyr parasysh se vendi ynë është anëtar i NATO-s.

Ndryshe, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, nëpërmjet një kumtese ka dënuar veprimet ushtarake të Rusisë ndaj Ukrainës.

“I dënoj ashpër veprimet ushtarake të Rusisë ndaj Ukrainës, që do të çojë në mënyrë të pashmangshme humbjen e jetëve të njerëzve dhe do të shkaktojë dëme materiale. Invazioni i Ukrainës nga ana e Rusisë është sulm ndaj integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës, shkelje e rëndë e parimeve themelore ndaj rendit demokratik dhe kërcënim për stabilitetin e Evropës. Si anëtare e NATO-s, i bashkohem thirrjes së Aleancës drejt Rusisë për ndalimin e veprimeve ushtarake në territorin e Ukrainës. Në emrin e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, shprehim solidaritet me popullin ukrainas në këto kohëra të vështira”, thotë Pendarovski.

Forcat ruse kanë nisur një sulm ndaj Ukrainës pas disa muajsh të rritjes së trupave ushtarake përgjatë kufirit të saj. Shpërthime u dëgjuan herët të mërkurën pranë kryeqytetit ukrainas të Kievit, presidenti ukrainas Volodimir Zelenskyy tha se Rusia kishte kryer sulme në infrastrukturën ushtarake dhe mbi rojet kufitare në rajonin e Donbas. Ai e ka ftuar popullatën që ta mbështet ushtrinë e cila po lufton me forcat ruse