Këshilli i Prokurorëve në Maqedoni nuk ka shkarkuar asnjë prokuror për mos kryerjen e detyrës


Pastrimi i gjyqësorit, i paralajmëruar si Veting, për momentin po i anashkalon prokurorët. Pasi këtë proces me pompozitet e paralajmëroi Ministri i Drejtësisë, Këshilli i Prokurorëve nuk ka shkarkuar asnjë prokuror për kryerjen jo si duhet të punës.
Kryetari Këshillit të prokurorëve, Aco Kolevski për “Alsat” tha se ata janë institucion që vepron në shkallën e dytë për ankesa dhe se rol kryesor luan komisioni i shkallës së parë për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore brenda prokurorisë.

“Për momentin, para Këshillit të prokurorëve ka procedurë disiplinore kundër tre prokurorëve. Ne mbajtëm seancë dhe jemi në pritje, gjegjësisht duhet ta marrim vendimin përfundimtar në lidhje me vendimin e marrë nga komisioni i shkallës së parë”, deklaroi Aco Kolevski, Kryetar i Këshillit të Prokurorëve.

Bëhet fjalë për tre prokurorë që nuk vepruan kur ndodhi 27 Prilli i përgjakshëm në vitin 2017. Ata tashmë ishin gjobitur. Kolevski vlerëson se përveç përpjekjeve politike për pastrimin e gjyqësorit, prokuroria ka një problem tjetër, mungesën e prokurorëve.
“Sipas sistematizimit, në prokuroritë publike në Maqedoni duhet të kryejnë funksionin gjithsej 244 prokurorë, ndërsa për momentin këtë funksion e kryejnë 186 prokurorë, që do të thotë se mungojnë 58 prokurorë. Kjo shifër është serioze”, deklaroi Aco Kolevski, Kryetar i Këshillit të Prokurorëve

Për dallim nga Këshilli i Prokurorëve, Këshilli Gjyqësor në periudhën e kaluar tashmë shkarkoi disa gjykatës. Në listën e të shakrkuarve janë Jovo Vangellovski dhe Lidija Nedellkova, ish-kryetarë të Gjykatës supreme, pastaj Vlladmir Pançevski, ish-kryetar i Gjykatës Penale, si dhe gjykatësja Tatjana Mihajllova, e cila erdhi në vend të Pançevskit. Mes të shkarkuarve është edhe gjykatësja Sofija Laliçiq, e cila ishte pjesë e bombave.