Këshilli i Çairit sot mbajti mbledhjen konstitutive: Jetmir Asani u zgjodh kryetar i këshillit

“ÇAIRI ME KRYETARIN MË TË RI TË KËSHILLIT KOMUNAL NË VEND
Këshilli Komunal i Çairit sot mbajti mbledhjen konstitutive, me çrast këshilltari nga radhët e BDI-së, Jetmir Asani u zgjodh kryetar i Këshillit. Me këtë Këshilli Komunal i Çairit u bë me kryetarin më të ri në vend.
Me rastin e Mbledhjes konstitutive urova Këshillin e ri Komunal të Çairit dhe theksova që shpresoj se 27 anëtarët e rinj të Këshillit do të jenë gjithmon në gatishmëri për të çuar përpara proceset që janë direkt të lidhura me mirëqenien e qytetarëve të Çairit tonë, do të dëgjojnë zërin e Çairasve para gjithçkaje.

Kam përsëritur se dera e Komunës së Çairit gjithmonë ka qenë e hapur dhe do të vazhdojë të jetë e hapur për secilin qytetarë që vjen te ne.
Do ta vazhdojmë rrugën e modernizimit të Çairit sepse ky është një obligim i yni i patjetërsueshëm ndaj Çairasve”, ka shkruar kryetari i Çairit, Visar Ganiu.