Këshilli Gjyqësor sot do të zgjedhë kryetarin e ri

Këshilli Gjyqësor sot në seancë do të zgjedhë kryetarin e ri. Kryetari i Këshillit zgjidhet me të paktën tetë vota nga anëtarët e Këshillit me të drejtë vote.
Këshilli përbëhet nga 15 anëtarë, prej të cilëve tetë anëtarë zgjidhen nga gjyqtarët nga radhët e tyre, pesë zgjidhen nga Kuvendi, prej të cilëve dy me propozim të presidentit të shtetit. Me funksion anëtarë të Këshillit janë kryetari i Gjykatës së Lartë dhe ministri i Drejtësisë, të cilët marrin pjesë në punën e Këshillit pa të drejtë vote.

Pesë nga anëtarët nga radhët e gjyqtarëve u zgjodhën vitin e kaluar. Në dhjetor, gjyqtarët Ariton Ala nga Gjykata e Apelit në Shkup dhe Danka Ristova nga Gjykata e Apelit në Shtip, ndërsa më herët në shtator u zgjodh gjyqtarja Xheneta Bektoviq nga Gjykata Themelore Penale Shkup si anëtare e Këshillit nga radhët e gjyqtarëve që i përkasin bashkësive, të cilat përbëjnë më pak se 20 për qind të popullsisë në shtet. Ndërsa në qershor, anëtarë të rinj u bënë gjyqtarët Isamedin Limani nga Gjykata Supreme dhe Aleksandar Kambovski nga gjykats e Apelit Manastirit.

Anëtarët e tjerë të Këshillit nga radhët e gjyqtarëve janë gjyqtarja Antoaneta Dimovska, e zgjedhur në korrik 2023, gjyqtari Ivica Nikollovski, i zgjedhur në shtator 2022, dhe Hanif Zendeli, i zgjedhur në janar 2020.
Me propozim të presidentit të shtetit, anëtarë të Këshillit janë Vesna Dameva, e zgjedhur në dhjetor 2019, dhe Milazim Mustafa, i zgjedhur në korrik 2019.
Anëtarët e Këshillit të zgjedhur nga Kuvendi janë Tanja Çaçarova-Ilievska, e zgjedhur në dhjetor 2021, Pavlina Cërvenkovska, e zgjedhur në dhjetor 2020, dhe Selim Ademi, i zgjedhur në dhjetor 2019.

I vetmi organ për zgjedhjen, vlerësimin dhe kontrollin e punës së gjyqtarëve, si dhe ruajtësi i besimit të qytetarëve ndaj sistemit gjyqësor – Këshilli Gjyqësor, e filloi vitin me “rokada” të kryetarëve dhe e përfundoi me një karrige bosh në funksionin e kryetarit të Këshillit. Këshilli Gjyqësor përsëri u gjend në qendër të vëmendjes publike, jo vetëm për shkak të shkarkimit kontrovers, rikthimit dhe në fund dorëheqjes nga funksioni të kryetares Vesna Dameva, por edhe për përpjekjet për zbatimin e disa prej rekomandimeve të Misionit të Vlerësimit në punën e tij, si dhe për thirrjet e hapura nga pushteti për shpërbërjen e tij dhe reformimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor.

Zgjedhja e kryetarit ishte në rendin e ditës së seancës së Këshillit Gjyqësor edhe në dhjetor të vitit të kaluar, por u shty deri në plotësimin e përbërjes me zgjedhjen e dy anëtarëve të rinj nga radhët e gjyqtarëve.
Kryetari i Këshillit Gjyqësor dhe zëvendësi i tij zgjidhen nga anëtarët me të drejtë vote, pasi Gjykata Kushtetuese në mars 2023 e hoqi kufizimin që ata të zgjidheshin vetëm nga radhët e anëtarëve të zgjedhur nga Kuvendi.
Në seancën e 510-të, përveç zgjedhjes së kryetarit, përfshihet edhe shqyrtimi dhe vendosja për një ankesë nga një gjyqtar, si dhe çështje të tjera.