Këshilla për ngasje gjatë dimrit

Nëse rrugët kanë nisur të mbushen me borë dhe akull kujdesi në ngasje të veturës duhet të shumëfishohet. Shumë vjet përvojë ngasjeje nuk do të ndihmojnë nëse nuk i respektoni këshillat kryesore për kujdes.

Uebfaqja “caranddriver” ka përgatitur një listë këshillash se si duhet të ngitet vetura gjatë dimrit.

Ngitni butë
Çelësi për kujdes gjatë ngasjes në dimër është ngasja e butë me timon, gaz e frerë. Sa më të shpejta të jenë reagimet në këto raste aq më i madh bëhet rreziku nëse rruga ka akull.

Shikoni shumë përpara
Sa më rrezikshëm që duket rruga, shikimi duhet të jetë edhe më larg përpara. Kjo do t’ju bëjë të mendoni më mirë se çfarë duhet të bëni e se kur duhet të frenohet apo të merret kthesa.

Vëmendje e shtuar te sinjalet e veturës
Po që se po përshpejtoni në një rrugë të drejtë dhe një dritë ndizet në tabelën e instrumenteve ajo ju paralajmëron se gomat po rrëshqasin. E njëjta mund të bëhet edhe nëse jeni në kthesë. Prandaj vëmendje e shtuar te sinjalet që po ua jep vetura dhe gjithsesi rikthejuni pikës numër 1.

Shikimi
Sapo që ndieni se vetura juaj po rrëshqet – shikoni ku doni të shkoni dhe jo ku po ju shpie ajo. Fokusi se ku doni të arrini mund t’ju ndihmojë në shmangien e rreziqeve të mundshme. Kjo pikë shfrytëzohet nga garuesit profesionistë që u shpëtojnë kthesave të rrezikshme.

Kujdesi ndaj rrëshqitjes

Herët a vonë vetura gjatë ngasjes në akull rrezikon të rrëshqasë. Për këtë kujdesi duhet të jetë i shtuar dhe të përdoret ngasje më e lehtë. Në rast se nis rrëshqitja, për një veturë që tërheq me rrota të përparme gomat e para kthehen më shumë se që mendohet – prandaj ulni gazin. Sapo të ndalet gazi nis ridrejtimi i gomave. Tek ato me tërheqje të pasme duhet të kthehet timoni në të njëjtin drejtim që po rrëshqet pjesa e pasme e veturës. Ngadalësimi dhe mosprekja e frerëve do të ndihmojnë. Në raste të tilla duhet të kihet kujdes me prekjen e frerëve.

Përdorimi i frerëve
Nëse gjithçka dështon dhe ju duhet të ndaleni sa më shpejt që është e mundshme duhet të përdoret ndihma e sistemit anti-bllokues të frerëve (ABS). Të gjitha veturat e reja kanë këto lloj frerësh. Nëse keni nisur rrëshqitjen dhe s’po mund të dilni nga ajo, dhe vetura ka ABS, përdorni frerët nëse jeni në rrezik të madh dhe mos e tërhiqni këmbën. Kompjuteri do të bëjë pjesën tjetër duke i bllokuar gomat në mënyrën më agresive që mundet. Nuk është e sigurt 100 për qind se do t’ua shmangë aksidentin, por padyshim që deri tash ABS ka shpëtuar shumë jetë.

Vazhdimisht vlerësoni drejtimin tuaj
Në vazhdimësi kujdesi duhet të jetë i madh kur vozitet në kohë bore. Për të pasur më të lehtë këtë mos u rrini afër veturave përpara dhe nganjëherë shtypni frerët. Nëse sistemi ABS aktivizohet keni kujdes sepse jeni gomat tani janë të rrëshqitshme. Nëse ndaleni pa aktivizim të ABS-it jeni në rrugë të duhur.

Kujdesi në ngasjen me katër rrota tërheqëse
Veturat që kanë sistem që tërheqin me të gjitha rrotat mund të çojnë në ndjenjë “false” të sigurisë për rrugët e rrëshqitshme. Ato ua dërgojnë fuqinë të gjitha rrotave që në rrugë të rrëshqitshme siguron ecje impresive. Por mos u mashtroni. Sistemet nuk funksionojnë në kushte të borës dhe mos pritni që gjithçka të jetë normale kur prekni frerët apo hyni në kthesa.

Gomat e dimrit
Kjo s’është këshillë ngasjeje – është obligim. Përdorimi i gomave të dimrit është i domosdoshëm për të qenë më i sigurt gjatë dimrit.

Lexoni rrugët
Sipërfaqe e rrezikshme? Ka vetëm një shtresë “pluhuri”? A janë temperaturat e ftohta për të krijuar akull? Kthesa të rrezikshme? Gjeni shiritin që me sy vërehet se është më i sigurt. Ngitni aty veturën dhe mos shpejtoni.

Plani
Shikimi sa më larg që mundet është ide e mirë në përgjithësi. Por shfrytëzimi i tij në kushte jo fort të zakonshme ju sjell avantazh edhe më të madh. Planifikoni ngasjen e dilni më herët kur keni për të shkuar diku. Në rrugë të panjohura plani për ngasje më të ngadalshme do t’ju kryejë punë për rehati.

Bartni pajisjet e duhura
Kripa, gërryes akulli, kabllo, rripi i tërheqjes, seti i ndihmës së parë e zinxhirët janë pajisjet e domosdoshme për kujdes gjatë ngasjes në dimër.