Këshilla nga psikologia Besarta Taçi: Si të menaxhojmë stresin e vjeshtës dhe pandemisë!

Nga Kadrije Çako

10 Tetori njihet botërisht si Dita e Shëndetit Mendor. Në kuadër të kësaj psikologia dhe presidentja e EMDR Albania, Besarta Taçi, bashkë me disa psikologë të tjerë për të tretin vit radhazi risjellin një javë dedikuar shëndetit bio-psiko-social. Nga data 12-17 tetor, çdo mbrëmje ora 18-21:00 psikologë të ndryshëm do të sjellin eksperiencat tyre në fushat e shëndetit mendor. Java e shëndetit bio-psiko social do të mbahet në zyrat e Centro Clinico dhe për më tepër është fals. Ndaj mos hezitoni të regjistroheni në emailin [email protected]

Këshilla nga psikologia Besarta Taçi: Si të menaxhojmëKëshilla nga psikologia Besarta Taçi: Si të menaxhojmë

Në kuadër të ditës së Shëndetit Mendor, dritare.net ka realizuar një interviste me psikologen Besarta Taçi ku na tregon problematikat e shëndetit mendor në Shqipëri, shëndeti mendor në kohë pandemie dhe jep disa këshilla për të gjithë.

Intervista!

Dritare.net: Pse është ende tabu shëndeti mendor në Shqipëri?

Besarta Taçi: Jemi më 10 Tetor dhe akoma sot ekzistojnë paragjykime dhe tabu për sa i përket shëndetit mendor dhe figurës së psikologut. Një nga paragjykimet ka të bëjë me idenë qe kush shkon te psikologu është i çmendur. Ndërkohë një individ në harkun e jetës së tij mund të përjetojë 4 tipologji gjendjesh mendore. Nga njëra anë kemi mirëqenin mendore, e cila kërkon një ekuilibër shumë të mirë të nevojave të kualitetit të jetës sa i përket marrëdhënieve sociale, por edhe për shëndetin fizik. Shqetësimet mendore janë aspekti i dytë me të cilët njerëzit përballen, që aktivizohen nga vështirësitë në punë, marrëdhënie, situata të paparashikueshme, ku një njeri përjeton tension, trishtim, agresivitet. Gjatë gjithë jetës çdo qenie njerëzore përjeton shqetësime të tilla. Por kur këto shqetësime bëhen kronike dhe intensifikohen ndjesitë negative, simptomat fizike dhe marrëdhëniet preken nga kjo gjendje psikoemocionale, atëherë flasim për çrregullim, ose sëmundje mendore. Në momentin kur simptomat janë shfaqur dhe kanë vazhduar gjendjet shqetësuese në mënyrë kronike, nuk është kuruar dhe nuk është kërkuar ndihmë për shqetësimin, atëherë kemi të bëjmë me një gjendje shëndetësore negative, pra sëmundje mendore të stabilizuar. Nuk ekzistojnë njerëz të shëndetshëm dhe njerëz të çmendur. Shëndeti mendor është një ambicion dhe çdo qenie njerëzore përballet me vështirësi dhe vuajtje, për të cilat nëse nuk kërkohet ndihmë në kohë, mund të transformohen në sëmundje të stabilizuar. Pikërisht në këtë ditë ka ardhur momenti që ne të flasim për shëndetin mendor, çrregullimet dhe shqetësimet mendore.

Dritare.net: Çfarë duhet të bëjnë njerëzit që të mos kenë probleme psikologjike?

Besarta Taçi: Ne nuk mund të anulojmë totalisht problematikat psikologjike. Ajo çfarë mund të bëjmë është të vetëdijesohemi për reagimet që kemi ndaj ngjarjeve, për mënyrën sesi përballemi me situatat delikate, apo problematike që kanë të bëjnë me punën, marrëdhënien, me paaftësitë e momentin, apo edhe me situata, të paparashikueshme, si aksidentet, sëmundjet kronikë apo humbja e dikujt. Të gjitha këto janë situata njerëzore, ku çdokush prej nesh ka reagime specifike. Një mënyrë e mirë për të mos pasur më pas problematika psikologjike është të njohim reagimet tona dhe t’i bëjmë vetes disa pyetje shumë të lehta vetes. Të provojmë të kuptojmë nëse flemë mirë, ushqehemi shëndetshëm, nëse kemi lëkundje në gjumë, apo në ushqim. Nëse kemi mungesë dëshire për të ngrënë ose hamë në mënyrë kompulsive. Nëse kemi lëkundje në peshë, apo një ndjesi papërshtatshmërie ose trishtimi të vazhdueshëm. Përtej atyre që na ndodhin në jetë, nëse gjendja, apo emocionet tona janë reagime shumë të forta, shpërthime emocionale ose në të kundërt nëse ne ndjejmë që jemi totalisht pasivë përballë ngjarjeve të jetës sonë, të gjitha këto situata, që lidhen edhe me momentet ankthioze ose ato emocionalisht të ngarkuara, janë njerëzore. Kur në momente të caktuara, ndjejmë se nuk arrijmë dot t’i tolerojmë atëherë duhet të kërkojmë ndihmë.

Dritare.net: Stresi dhe depresioni janë probleme mjaft prezente në shoqërinë tonë, si mund të menaxhohen, kontrollohen dhe eliminohen ato?

Besarta Taçi: Stresi dhe depresioni janë dy çështjet alarmante të 50 vjetëve të fundit. Kjo edhe nga mënyra si kemi ndërtuar shoqërinë tonë, marrëdhëniet tona, jetën tonë. Janë çështje që na bëjnë të ndjejmë nivele shumë të larta stresi, prodhojnë nivele shumë të larta kortizoli, që është hormoni i stresit. Kjo sjell edhe problematika të tjera fizike, ku preket sistemi kardiovaskular, mbipesha dhe aspekte të tjera të lidhura me pagjumësinë. Përsa i përket depresionit, në 2020-ën është alarmi më i madh që është lançuar nga OBSH-ja. Sepse pandemia ka kontribuuar gjithashtu për rëndimin e një sërë simptomash, si problematikat e humorit. Ndërkohë mos harrojmë se kemi shifra goxha alarmante. Vitet e fundit është vërtetuar që gjendjet depresive, ua marrin jetën burrave 14 vjet para, në krahasim me ata që nuk kanë depresion. Ndërsa gratë me depresion vdesin 10 vjet më para. Vdekja e parakohshme tek njerëzit me depresion vjen kryesisht nga jeta sedentare, sepse janë individë që bëjnë shumë pak sport ose aspak. Janë gjatë gjithë kohës të mbyllur, u mungon edhe kontakti me diellin, me vitaminën e cila stimulon aktivizimin muskulor te këta individë. Por gjithashtu ata që kanë një gjendje humorale të ulët konsumojnë alkool, por shpeshherë edhe duhan. E gjitha kjo sjell rrezikshmëri të dyfishtë të problemeve kardiovaskulare, 65% më shumë rrezikshmëri për të zhvilluar diabet, rrezikshmëri më e lartë e degjenerimit konjitiv. Ne dimë që 800 mijë persona në vit vrasin veten në gjithë globin. Çështja e stresit dhe depresionit është shumë serioze. Nuk mund ta kalojmë depresionin vetëm. Nëse kemi një familjar në depresion nuk mund t’i themi: “Çohu, lëviz, bëj diçka, mos u qaj gjate gjithë kohës!” Kjo kontribuon akoma më shumë që personi të ndjehet i vetmuar dhe simptomat e tij rëndohen. Kërkoni ndihmë sepse depresioni ka të bëjë me gjendjen fizike, por edhe me neurotransmetuesit. Fakti që nuk prodhohen më hormonet e humorit pozitiv bëjnë që individi të hyjë në një rreth vicioz dhe humb kontrollin mbi jetën e tij dhe marrëdhëniet.

Dritare.net: A po na çrregullon mendërisht teknologjia, përdorimi i rrjeteve sociale, bombardimet nga lajmet, gjithmonë nisur nga fakti që jemi në mes të një pandemie?

Besarta Taçi: Përdorimi i teknologjisë vitet e fundit është kthyer në një alarm tjetër. Këto muaj ka pasur një rol akoma më të rëndësishëm. Teknologjia ka qenë një faktor sensibilizues, mbrojtës, na ka dhënë mundësinë që të informohemi gjatë gjithë kohës. Por e gjithë kjo ka bërë që të rritet katërfish koha që njerëzit kalojnë në rrjetet sociale. Është aktivizuar edhe nomofobia, e cila ka të bëjë me përdorimin e teknologjisë, smartfonëve, kompjuterëve. Në momentin kur këta njerëz shohim se nuk ka internet, WiFi, bateri, aktivizohen indikatorët e një fobie. Siç janë fobitë nga lartësitë, vendet e mbyllura ose nga gjarpri ose çdo gjë tjetër. Teknologjia në ketë periudhë ka qenë edhe faktor mbrojtës, por kanë shkaktuar edhe ankth të tepërt. Në fazën e parë kemi vënë re që është shkaktuar një lloj ankthi sidomos te mosha e tretë që ishte më vulnerabilja. Ne sugjerojmë gjithmonë që të vendoset një orar i përcaktuar për t’u informuar gjatë ditës dhe që të mos shkojmë në ekses të informacioneve. Sepse kjo transferohet edhe në varësit, sidomos te të rinjtë që gjatë gjithë kohës rrinë të informuar, shikojnë shifra e atë që ndodh në shtetet e tjera. Bëni kujdes! Jepini kohë vetes suaj! Caktoni një orar dhe mundohemi të mos dilni jashtë tij. Te telefonat e rinj ekziston edhe një kohë përdorimi. Monitoroni përdorimin e tij! Lejojini vetes një X orë. Sipas OBSH-së, një tru i pjekur, i një personi të rritur, jo fëmijë dhe jo adoleshent, mund të suportojë maksimalisht 3 orë në ditë përballë mjeteve teknologjike, pra përballë televizorit, kompjuterit dhe telefonit. Pra monitoroni kohën e përdorimit të teknologjisë.

Dritare.net: Gjatë muajve të pandemisë keni pasur shumë vizita? Kush kanë qenë pacientët? Ka pasur më shumë të rinj, apo moshë mestare e të vjetër?

Besarta Taçi: Gjatë këtyre muajve, unë presidentja e Shoqatës së EMDR Albania, bashkë me 10 psikologë kemi ofruar shërbimin online nga muaji mars, deri në qershor. Në fillim na kërkonin ndihmë nëna të reja, por edhe mosha e tretë. Gradualisht me kalimin e kohës, në muajt e fundit janë shumë më shumë të rinjtë nga mosha 19-27 që po na kërkojnë ndihmë. Qoftë tërmeti, apo edhe koronavirusi, janë dy çështje traumatike që kanë lëkundur fort themelet e sigurisë për të ardhmen për të rinjtë. Ajo që kemi vënë re dhe po shikojmë është se ka shumë njerëz me ankth dhe simptoma depresive. Pikërisht alarmi ndërkombëtar është dhe një alarm për Shqipërinë tonë të vogël.

Dritare.net: Cilat janë arsyet për shtim të problemeve të shëndetit mendor, në këtë kohë?

Besarta Taçi: Arsyet që janë të lidhura me shëndetin mendor në këtë periudhë kanë të bëjnë konkretisht me aspektin që ne nuk kemi dalë akoma nga situata emergjente. Aktualisht ne nuk kemi përjetuar akoma sigurinë posttraumatike dhe çështja e mungesës së sigurisë është e lidhur fort me të gjitha ato simptomat e lidhura me stresin posttraumatik. Për sa i përket çështjeve të tjera në kontekstin shqiptar, në plan të parë kanë të bëjnë me mungesën e punës. Pra një pjesë shumë e madhe e të rinjve kanë humbur vendin e punës. Çështjet ekonomike rrisin nivelin e stresit, e pasigurisë, ankthit dhe depresionit. Nga ana tjetër sjell edhe pasiguri totale për të ardhmen dhe planet që të rinjtë apo të tjerë kishin vendosur para izolimit. Këto çështje, lidhur dhe me ato para tërmetit dhe para kovidit, meqë kanë ndodhur të dyja në një kohë të shkurtër kanë krijuar terrenin për mbivendosjen e traumave dhe aktivizimin e një sërë simptomash.

Dritare.net: Me ardhjen e vjeshtës dhe afrimin e dimrit do të rriten infektimet. Fakti që mund të prekemi më lehtë në dimër ka shkaktuar një stres të madh, si ta menaxhojmë këtë gjendje?

Besarta Taçi: Jemi në tetor dhe jo rastësisht është Dita e Shëndetit Mendor është vendosur në ketë periudhë. Deri në mes të nëntorit ndodhemi në një faze delikate. Është faza e problematikave humorale, si pasojë e kësaj periudhë të vjeshtës. Janë probleme që vihen re çdo vit dhe psikologët dhe psikiatrit janë goxha të kujdesshëm në këtë periudhë. Kësaj i shtohet edhe e gjithë frika nga virozat dhe Covid-19. Ajo që unë sugjeroj në ketë periudhë është që të mundohemi të koordinojmë dhe organizojmë 24-orëshin tonë. Kjo është e rëndësishme sa i përket një gjumi të shëndetshëm, mos harrojmë që truri ynë ka nevojë për minimumi 7 orë gjumë dhe këto orë kanë një influencë të paparë në rigjenerimin e energjive, mendimeve, spastrimin e emocioneve tona. Edhe ngrënia shëndetshëm është e rëndësishme. Ndoshta janë aspekte që janë dëgjuar dhe ridëgjuar disa herë, por ne nuk mund të kemi një mendje të shëndetshme nëse nuk kujdesemi për trupin tonë. Duke qenë se akoma po na lejon koha, mundohuni të bëni ecje në ambiente të hapura, shkoni në mal apo në det. Jini në kontakt me natyrën. Mos harroni se për aq sa na pëlqen teknologjia, apo ambienti ku ndodhemi përqark, ne jemi edhe kafshë të evoluuara por që janë të lidhura me natyrën. Kemi nevojë të jemi në kontakt të vazhdueshëm me natyrën. Ajo ofron një lloj dialogu me veten, qetësi dhe monitorim të gjendjes sonë. Pra dikush që thotë: “OK, stop është e shtunë, ora 12:00, do të marr makinën dhe do të iki për gjysmë dite në mal, natyrë.”, është një person që e ka dëgjuar nevojën e tij. Dhe për këtë aspekt jeni vetëm ju që mund ta ndihmoni veten tuaj. Nëse keni një përditshmëri pasive, që nuk ju lejon të lëvizni fizikisht, mundohuni të bëni sporte, palestër por edhe crossfit apo kërcime ritimike. Nëse dita juaj është shumë intensive, atëherë bëni joga.

Dritare.net: Dhe në fund një mesazh nga ju si psikologe, në Ditën Botërore të Shëndetit Mendor!

Besarta Taçi: Personalisht jam shumë e kujdesshme për shëndetin mendor. Mundohem aq sa mundem të sensibilizoj drejt vetëdijshmërisë që secili nga ne ka një dritare tolerance. Pra ka një limit përsa i përket kohës, zgjedhjeve në jete, vështirësive, reagimeve. Të mundohemi të kuptojmë sa e madhe dhe sa e gjerë është dritarja jonë e tolerancës. Nëse jemi të kujdesshëm rreth asaj sesi ndjehemi, si reagojmë ky është hapi i parë për të ndihmuar veten. Besoj fort që shëndeti mendor është një e drejtë njerëzore, por edhe detyrim shoqëror. Secili nga ne kontribuon në përditshmërinë e tij nëse bëhet i vetëdijshëm për limitet e tij, vështirësitë që ka, apo edhe burimet e kapacitet që ka, secili nga ne kontribuon në mirëqenien e personave të tjerë. Bëhuni të kujdesshëm për gjendjen tuaj, kujdesuni nëse gjendeni në një situatë të vështirë. Mos harroni, nuk është turp të keni një simptomë, apo një problematikë psikologjikë, çrregullim psikologjik, apo sëmundje mendore. Gabimi më i madh është të mos kërkosh ndihmë, ndërkohë që ekzistojnë shumë profesionistë që e ofrojnë shpeshherë edhe në mënyrë vullnetare këtë ndihmë. Pra kërkoni ndihmë! Jepini vetes një shans të dytë apo të tretë!

Jeni thjesht larg një telefonate. Jam e bindur që takimi me psikologun është nga ato që të afrojnë më shumë me veten, të bëjnë të jesh shumë më shumë i vetëdijshëm me veten tënde. Jo domosdoshmërish njerëzit që kanë një simptomë kanë nevojë për terapi të gjatë, mjafton edhe një konsultim e disa seanca për të kuptuar më mirë veten tonë./dritare.net