Kërkuan t’i regjistronin dy fëmijët me të drejta mëmësie të barabarta, Gjykata rrëzon kërkesën e Edlira Mara dhe Alba Ahmetaj

Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e dy shtetaseve Edlira Mara dhe Alba Ahmetaj të cilat kërkuan që t’i regjistronin dy fëmijët me të drejta mëmësie të barabarta.

Vendimi u dha nga kolegji administrativ ndërkohë që të pranishme ishin edhe Ahmetaj dhe Mara.

Të dyja zonjat të cilat e kurorëzuan martesën pak javë më parë kishin paditur zyrën e gjendjes civile pranë njësisë administrative numër dy dhe i kërkuan gjykatës së lartë që ta detyrojë t’i regjistrojë dy binjakët me nëna paditëset, shkruan Top Channel.

Gjatë seancës avokatja kërkoi që çështja të përcillej për kontroll incidental në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa kjo çështje është shqyrtuar edhe nga shkallët e tjera të gjykatave administrative.

Gjykata e Lartë tha se njësia administrative nuk mund të marrë një vendim që nuk bazohet në kodin e familjes.