Një prokuror publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka nxjerrë sot një Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër dy personave, për të cilët ka dyshime të bazuara se si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale – Shpërdorim në shërbim, sipas nenit 354 të Kodit Penal. Për katër persona të tjerë është iniciuar procedurë për veprën penale – Keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar, sipas nenit 353 të Kodit Penal.
Duke vepruar mbi kallëzimet penale të dorëzuara nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Drejtoria e Policisë Financiare, u ndërmorën disa veprime hetimore dhe nga provat e mbledhura rezulton dyshimi i bazuar se dy bashkëkryerësit, si persona përgjegjës në Shoqërinë Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit “Lotaria Shtetërore” të RMV-së, gjatë vitit 2023, duke ushtruar autorizimet dhe detyrat e tyre të posaçme, kanë marrë pjesë së bashku në veprime që kanë shkaktuar dëm ndaj shoqërisë aksionare, me qëllim përfitimi të paligjshëm të pasurisë për një palë të tretë, që vlerësohet në shumën e konsiderueshme prej 501.319.119 denarë nga buxheti i shoqërisë aksionare.
I dyshuari i parë, kryetar i Bordit Drejtues – Drejtor i Përgjithshëm i “Lotarisë Shtetërore”, më 9 maj 2023, i ka dorëzuar elektronikisht Qeverisë së RMV-së, në cilësinë e Kuvendit të Aksionarëve të shoqërisë, një informacion mbi nevojën për të ndërmarrë aktivitete për organizimin e pavarur të lojërave të fatit elektronike. Në atë informacion, është propozuar që të zhvillohet një procedurë për furnizimin e terminaleve VLT dhe zbatimin e tyre.
Vlera e vlerësuar e këtij furnizimi përbënte 42% të vlerës kontabël të shoqërisë, e përcaktuar nga raportet e fundit financiare, pra bëhej fjalë për një marrëveshje të madhe, për të cilën, sipas ligjit, parashikohej një procedurë miratimi nga Bordi Drejtues dhe Bordi Mbikëqyrës i “Lotarisë Shtetërore”, dhe jo nga Kuvendi i Aksionarëve.
Propozimi ishte bërë edhe pse i dyshuari ishte në dijeni se furnizimi ishte i panevojshëm dhe pa bazë, pasi SHA “Lotaria Shtetërore”, në përputhje me Ligjin për Lojërat e Fatit, nuk ka të drejtë të organizojë në mënyrë të pavarur lojëra elektronike të fatit në territorin e shtetit. Që nga viti 2013, kjo e drejtë ishte transferuar te Videolotaria Shtetërore – “Casinos Austria” SHPK Shkup si një kontribut jomonetar me vlerë prej 6.244.898 eurosh. Për këtë arsye, “Lotaria Shtetërore” ka fituar një pjesëmarrje prej 51% në kapitalin bazë të shoqërisë së themeluar me “Casinos Austria”.
I dyshuari i dytë, edhe pse ishte gjithashtu në dijeni se kërkesa për këtë procedurë të prokurimit publik ishte e kundërligjshme dhe se “Lotaria Shtetërore” nuk kishte të drejtë të organizonte në mënyrë të pavarur lojëra elektronike të fatit në territorin e shtetit, më 6 qershor 2023, në cilësinë e zëvendëskryeministrit, ka kryesuar një mbledhje të Qeverisë në rolin e Kuvendit të Aksionarëve të shoqërisë aksionare. Kjo ndodhi megjithëse ai ishte plotësisht i vetëdijshëm se Kuvendi i Aksionarëve nuk kishte kompetencë për të vendosur lidhur me këtë marrëveshje specifike.
Në seancë është miratuar informacioni dhe “Lotaria Shtetërore” është urdhëruar të ndërmarrë aktivitete për të filluar organizimin e lojërave elektronike të fatit dhe për të blerë terminalet e nevojshme të videolotarisë. Më pas, i dyshuari i parë ka marrë vendimet e nevojshme, janë realizuar procedurat e prokurimit publik dhe janë nënshkruar kontrata me të cilat është marrë një detyrim në shumën totale prej 501.319.119 denarë për blerjen e terminaleve të videolotarisë, të cilat, sipas ligjit, nuk mund të përdoren për organizimin e lojërave elektronike të fatit. Pavarësisht blerjes, ato nuk janë përdorur kurrë.
Prokurori kompetent do t’i dërgojë gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore Shkup kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit për të dy të dyshuarit, në mënyrë që masa e paraburgimit të fillojë të zbatohet menjëherë pas gjetjes dhe privimit të tyre nga liria.
Katër të dyshuarit e tjerë janë të dyshuar si kryetar dhe anëtarë të komisionit për dy thirrje të ndara publike, dhe për ta ka dyshime se ata kanë keqpërdorur autorizimet dhe detyrat e tyre dhe kanë realizuar thirrje publike për transferimin e të drejtës për organizimin e lojërave elektronike dhe internetit të fatit, edhe pse kanë ditur se një procedurë e tillë në këto raste nuk mund të zbatohej, pasi nuk ishin plotësuar kushtet ligjore. Pas procedurave të realizuara, ata kanë përgatitur raporte me të cilat kanë konstatuar se katër ofertues kanë përmbushur kushtet për nënshkrimin e Marrëveshjeve për investime të përbashkëta, edhe pse këta ofertues nuk i kanë plotësuar kushtet ligjore, përkatësisht nuk ishin organizatorë të lojërave të fatit. Për katër të dyshuarit nga komisioni në “Lotarinë Shtetërore”, prokurori kompetent do të paraqesë kërkesë në Gjykatë për caktimin e masave paraprake.