Kërkohet dorëheqje e Bujar Osmanit

Duke pasur parasysh se acarimi ndodhi me vizitën e Bujar Osmanit në kryeqytetin bullgar, vërtetohet ajo që e shkruajti gazeta Lajm se në fakt ishin deklaratat proserbe të Osmanit i cili ndër politikanët e parë (nëse jo i pari), përmendi “vijat e kuqe maqedonase” në negociatat me Bullgarinë, që në rastin konkret de facto ishin “vija të kuqe” serbe. Kështu vlerëson kolumnisti Safet Xhelali, duke komentuar zhvillimet e fundit në raportet Shkup-Sofje, që u acaruan pas vizitës së ministrit të jashtëm maqedonas në kryeqytetin bullgar.

“Ky ishte një shok i vërtetë për Sofjen, duke pasur parasysh se politika bullgare i konsideron shqiptarët si aleatë në çlirimin e Maqedonisë së Veriut nga ndikimi serb, e jo si kundërshtarë. Me paraqitjen e tij Bujar Osmani dha shembull të kundërt. Prandaj edhe hasi në një pritje të ashpër në Sofje. Fatmirësisht ky dëm i shkaktuar nga Osmani si duket u tejkalua dhe tonet optimiste nga kryeministri Zaev pas bisedës telefonike me “vëllaun” e tij Borisov, japin bazë për optimizëm.

Mirëpo ajo që ne si opinion shqiptar duhet patjetër ta analizojmë dhe sqarojmë është se pse ndodhi deklarata fatkeqe e Osmanit për “vijat e kuqe maqedonase” ndaj Bullgarisë (që siç tham më lartë, në rastin konkret ishin “vija të kuqe serbe”)”, vlerëson kolumnisti Xhelali.