Kërkohen masa të sigurisë nëpër shkolla, nxënësit nuk ndjehen të sigurt

Gazetare: Melihate Rustemi

Çdo ditë e më shumë po rritet numri i fëmijëve në shkollë të cilët nuk ndjehen mirë dhe të sigurt. Madje, 37% e nxënësve nga 2 mijë të anketuar thonë se nuk kanë sigurinë e duhur dhe kjo është arsyeja që të njëjtit të humbin dëshirën për të ndjekur procesin mësimor. Sofija Georgievska nga Fakulteti Filozofik gjithashtu tha se dhuna dixhitale është një nga problemet më të shpeshta që hasin të rinjtë apo fëmijët. Ajo shtoi se fëmijët femra janë më të ndjeshme dhe në masë më të madhe kryejnë dhunë psikologjike, por janë edhe viktima të dhunës psikologjike. Megjithatë, kur bëhet fjalë për dhunën fizike, kryesisht fëmijët meshkuj janë ata që e kryejnë atë në masë më të madhe. Sipas Georgivskës, alarmante është se 27 për qind e fëmijëve nuk dinë se si dhe kujt t’i raportojnë se janë viktima të dhunës.

“Ajo që për mua është e dhënë befasuese është se 37 % e fëmijëve deklarojnë se për çdo ditë nuk ndjehen mir dhe sigurt në shkollë. Kjo nënkupton se këta fëmijë jo gjithmonë e identifikojnë se është dhunë, ndonjëherë thonë se dikush është tallur po ajo nuk është dhunë. Në deklaratë të caktuar thonë se nuk janë ndjerë mirë dhe nëse e njëjta do të kishte ndodhur më shumë se dy herë në javë atëherë nuk dëshirojnë më të shkojnë në shkollë. Unë vlerësoj se duhet ta ndezim alarmin që do të na tregoj se sa ne duhet të punojmë më fëmijët tanë”, deklaroi Sofija Georgievska, Fakulteti Filozofik.

Profesori Marjan Gjurovski prezantoi disa masa si pjesë e propozimeve për rritjen e sigurisë në shkolla. Airekomandon testim të detyrueshëm të drogës për nxënësit e shkollave të mesme dhe klasave të nënta të arsimit fillor, kontroll të armëve në pronësi të qytetarëve, analizë e dënimeve për autorët e dhunës dhe kontroll i ofruesve të internetit.

“Propozojmë që të shqyrtohet vendosja e një testi të detyrueshëm për drogën dhe narkotikët për nxënësit e shkollave të mesme dhe atyre të nëntë të arsimit fillor, një ose dy herë gjatë vitit shkollor. Ministria e Brendshme duhet të angazhohet për kontrollin e armëve të lehta dhe të vogla në pronësi të qytetarëve. Tani është momenti kur kryhet riregjistrimi i lejeve të qytetarëve dhe duhet forcuar kontrolli i mënyrës së mbajtjes së armëve dhe respektimi i rregulloreve në poligonet e qitjes. Gjithashtu nevojitet një rregullore e veçantë se kush mund të zotërojë armë të lehta dhe të vogla, si dhe mënyrën se si do të përdoren ato”, u shpreh Marjan Gjurovski, profesor/

Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri tha se mbështet projektin hulumtues të Fakultetit Filozofik “Siguria në shkolla – ndërtimi i parandalimit të rrezikut dhe mekanizmave të paralajmërimit të hershëm” duke shtuar janë në përfundim rregulloret, protokollet dhe platforma për parandalim dhe veprim në rast të dhunës. Sipas Shaqirit, të njëjtat do t’u dërgohen të gjitha shkollave deri në fund të javës. /Alsat.mk