Kërçovë, në pikëpyetje përdorimi i flamurit

Përqindja e shqiptarëve të regjistruar në Kërçovë si banorë rezident që është nën 51 për qind, vë në pikëpyetjet çështjen e përdorimit zyrtar të flamurit kombëtar. Aleanca për Shqiptarët kërkon që diaspora të llogaritet në numrin e përgjithshëm të qytetarëve nëpër komuna.

“E kujtojmë Deharin se shefi i Qeverisë së tyre, Kovaçevski tha që edhe përfaqësimi nëpër Institucione do të bëhet sipas përqindjes së banorëve rezident, duke paralajmëruar një qasje të këtillë edhe për të drejtat e tjera kolektive të shqiptarëve. E ftojmë Deharin të na bashkëngjitet në kërkesën tonë që diaspora të llogaritet në numrin e përgjithshëm të qytetarëve nëpër komuna dhe ta shpëtojmë bashkërisht të drejtën për përdorimin e flamurit kombëtar në Kërçovë”, njoftojnë nga ASH-ja.

Kreu i Kërçovës Fatmir Dehari akuzat e opozitës shqiptare i cilësoi si destruktive ndërsa tha se flamuri do vazhdojë të qëndrojë i paprekshëm në shtyllat e komunës.

“Qarqet destruktive, individ, portale, parti politike e patriot të rrejshëm pa ndalur vjellin vrer në mënyra të ndryshme për të penguar e minimizuar punët e mbara. Proceset që janë në favor të shoqërisë t’i gjykojmë me tone pozitive. Punojmë për arritje dhe pa paragjykime të konkludojmë rezultatin e punës. Shqiptarët në Kërçovë kanë qenë, janë dhe mbeten shumicë. Mbi 55% sigurojnë qëndresë. Flamuri u ngrit nga bijtë e vet dhe valon krenar përjetësisht”, tha Fatmir Dehari, kryetar i Kërçovës
Këshilltarët komunal nga LSDM e VMRO PDMNE, me qëndrime të ndryshme për çështjen e përdorimit të flamurit.

“I përgjithshëm është numri i të cilëve e lëshojnë Kërçovën, ndoshta tek popullata shqiptare është më i theksuar, por unë do ta lidhja me traditën, se kurbeti është traditë të shqiptarëve. Të gjithë ata që kanë ikur kanë vëlla, motër e kështu me radhë. Tek maqedonasit kjo është në përmasë pak më të vogël dhe ndoshta kjo është arsyeja. Ndërsa krizën si krizë në mënyrë të barabartë e ndjejnë të gjithë qytetarët tonë”, tha Ivan Bozhinovski, LSDM-, Kërçovë.

“Sipas ligjit që e di, nëse është real numri që qëndron në regjistrim, atje qëndron qartë se përdorimi i flamurit të bashkësive etnike duhet të jetë në pajtueshmëri me përqindjen, numri aktual që ndodhi është nën 50%… por nëse është numri real prej nën 50% do të duhet të shqyrtohet edhe ajo çështje”, u shpreh Llaze Aqimovski, VMRO DPMNE.

Sipas të dhënave të regjistrimit të Popullsisë, në Kërçovë jetojnë 39 mijë 669 banorë. 41.27 për qind prej tyre shqiptarë dhe 40.38 për qind maqedonas. Për dallim nga regjistrimi i vitit 2002, në regjistrimin e fundit në Kërçovë ka 17 mijë banorë më pak.
VIDEO