Kërçovë, mbetjet e kurbanëve hidhen rrugëve, kundërmon erë, rre*zik edhe të përhapen sëmundje


Hedhje e mbeturinave vend e pa vend dhe erë e keqe, kjo është gjendja rreth rrugës rajonale të ish-Komunës së Osllomesë.
Këtyre ditëve kësaj gjendjeje i është shtuar hedhja e mbetjeve të kurbanëve të hedhura rreth rrugës. Temperaturat e larta bëjnë që këtu të kundërmojë erë të keqe, e njëkohësisht përbëjnë rrezik për banorët e fshatrave përreth.

TV21 filmoi disa zona ku ishin hedhur mbetje kafshësh, siç është edhe kjo rrugë e cila lidhë disa fshatra të Kërçovës.
“Ndodhemi në rrugën e cila lidh Kërçovën me ish-Komunën e Osllomesë, kjo rrugë çon deri te disa fshatra të Komunës së Kërçovës. Këtu prapa meje janë mbeturinat, Kërçova ose ish-Komuna e Osllomesë me mbeturinat ballafaqohet për një kohë të gjatë, ndërsa këto ditë qytetarët ankohen se kundërmon erë e keqe për shkak se disa banorë kanë hedhur mbetjet e Kurbaneve të Bajramit”, Salije Sadiku, gazetare.

Më e prekur nga këto deponi të egra rezulton të jetë fshati Cërvicë. Banorët kanë dërgua ankesa të shumta deri tek Kryesia e Bashkësisë Lokale. Ata apelojnë tek qytetarët që të jenë më të ndërgjegjshëm sepse në këto temperatura të larta, mbetjet e Kurbaneve mund të përhapet ndonjë sëmundje.

“Ditëve të fundit kam pasur ankesa nga fshatarët se fshatarët dhe një pjesë e qytetarëve kanë bërë hedhjen e mbeturinave, hedhjen e mbetjeve të kafshëve nëpër rrugë apo në vende të padëshirueshme të pavolitshme. Duke e ditur se këto mbetje janë të rrezikshme duke parë edhe temperaturat e larta do të doja që të bëjë apel tek popullata e Kërçovës dhe Osllomesë të kemi kujdes, mos e kërkojmë shkakun tek institucionet e Komunës por të jemi të vetëdijshëm mos i hedhim mbetjet e kafshëve dhe çdo mbeturinë vend e pa vend”, tha Betim Kilosi, Kryetar i Bashkësisë Lokale – Cërvicë.

Myftinia e Kërçovës, për shkak të pandemisë me COVID-19, këtë vit solli vendim se nuk do t’i mbledhë mbetjet e kurbanëve, siç ka bërë viteve të e kaluara. Nga atje na thanë se kanë bërë thirrje që mbetjet e kurbanëve të mos hidhen, por të groposen në tokë, me qëllim ruajtjen e shëndetit të qytetarëve. Por si duket ky apel ka hasur në vesh të shurdhët.