Numri i të infektuarve në Kërçovë dita ditës po rritet. Numri i përgjithshëm i qytetarëve me “Covid 19” tashmë ka arritur në 106 prej të cilëve 87 janë aktiv ndërsa 14-të pacientë janë shëruar. Situata epidemiologjike gjatë këtij muaji në komunën e Kërçovës është rënduar dukshëm. Betejën me pandeminë deri më tani e kanë humbur 5 kërçovar ndërkohë që për shkak të gjendjes së rënduar shëndetsore nga virusi Korona në klinikat e sëmundjeve infektive në Shkup dhe Manastir janë shtruar 15 pacientë nga Kërçova ndërsa të tjerët ndodhen nën përcjelljen e vazhdueshme të mjekëve amë dhe infektologëve.
Gjatë 24 orëve të fundit janë zbuluar edhe 5-së raste të reja dhe tani numri i të infektuarve ka shkuar në 106-të. Bëhen përpjekje maksimale për vendosjen e kontrollit por në bazë të testimeve të realizuara na rezulton se gjatë muajit të fundit kemi një rritje të vazhdueshme të rasteve me Kovid 19 thotë drejtori i spitalit të përgjithshëm në Kërçovë Stanko Tërpeski.
Ai njofton se brenda ditës bëhen nga 7 deri më 10 testime dhe në bazë të rezultateve merren edhe masat adekuate të intervenimit. Sipas tij një zgjërim i këtillë i virusit në disa vatra infektive vjen si pasojë e mosrespektimit të masave mbrojtëse dhe rekomandimeve qeveritare. Për këto arsye organet policore për çdo ditë marrin masa ndëshkuese ndaj atyre që nuk e respektojnë masën e distancës fizike dhe mbajtjen e maskave mbrojtëse nga Kovid 19. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit kjo masë e dënimit u është shqiptuar 9 qytetarëve.