Kërçova edhe këtë vit nuk do të stoliset! Ja për çfarë do të shfrytëzohen mjetet

Edhe këtë vit qyteti i Kërçovës nuk do të stoliset për festat e fundvitit
Kjo nuk është hera e parë që Komuna e Kërçovës mjetet e stolisjes së qytetit i ndanë për familjet me nevojë.

Pyetëm disa nga qytetarët se cfarë mendojnë për stolisjen e qytetit.

“Mendimi im është që situata kërkon kursim, megjithatë për arsye të sigurisë për të shënuar ditën duhet që në mënyrë modeste qyteti të stoliset sipas mendimit tim. Po sigurisht shpresojmë që edhe tek njerëzit do të ndikojë sepse nuk ka organizime për pritjen e vitit të ri, nuk ka udhëtime, të paktën kështu në një far mënyrë do të mund ta shohin se qyteti mendon në ata dhe në një mënyrë miniaturë të jetë i stolisur”, tha një banor.
“Është bukur të rregullohet, por komuna nuk ka para, krizë si kjo nuk të mos kemi më asnjëherë. Edhe nëse dalin njerëzit nuk mbajnë maska unë të them sinqerisht, nuk mbajnë maska njerëzit, të rinjtë shkojnë edhe nëpër lokale”, shtoi një tjetër banor.

“Të ketë gjithçka, pako, duam një bredh të madh si ka pasur disa vite më parë e madhe sa shtylla, dhe duam të plasim mjete piroteknike”, thonë fëmijët.

Per kryetarin e Komunës më e rëndësishme është që sërish tu ndihmohet familjeve në nevojë dhe me ata mjete ta ndihmojnë spitalin e Kërçovës në luftën kundër Covid-19.
“Edhe këtë vit vlerësimet e të gjithëve, me ata që kam arritur të bisedoj është që edhe këtë vit qyteti të stoliset vetë nga qytetarët apo nga sektori privat, ndërsa mjetet që ne i ndajmë do të shkojnë për preparate të nevojshme për Covid-19 por edhe për familjet të cilat kanë nevojë për tu qëndruar afër në këto momente”, deklaroi Fatmir Dehari – Kryetar i Komunës së Kërçovës.

Vitet e kaluara qytetarët vet i stolisnin ambientet e tyre për të shijuar atmosferën e festive, por këtë herë edhe pse na ndajnë tre javë nga Viti i Ri, në qytetin e Kërçovës në pamje nga jashtë nuk të jep pasqyrë se viti i ri po afrohet, sepse as sektorët privat nuk kanë filluar me zbukurimin e bizneseve të tyre.