Kërcënoi stafin e Ambasadës së Kosovës në Shkup, prokuroria nis hetimet

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka iniciuar procedurë kundër një personi për vepër penale – Rrezikimi i sigurisë. I dyshuari sipas Prokurorisë së Shkupit në fillim të kësaj jave ka kërcënuar se do të sulmojë Ambasadën dhe zyrtarët e punësuar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup.

“Më 6 nëntor, i dyshuari ka kërcënuar seriozisht se do të sulmojë jetën dhe trupin e disa zyrtarëve të punësuar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup, duke shkaktuar ndjenjën e pasigurisë, rrezikut dhe frikës. Ai ka telefonuar në celularin zyrtar të misionit diplomatik dhe kërcënoi se nëse nuk pranohej në një takim urgjent, do të sulmonte Ambasadën dhe punonjësit e saj”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Shkupit.

Për mbarëvajtjen e procedurës dhe sigurimin e prezencës së të dyshuarit, prokurori publik i ka dorëzuar gjyqtarit të procedurës paraprake propozim për caktimin e disa masave të kujdesit – ndalim lëshimin e vendbanimit, konfiskim i përkohshëm i dokumentit të udhëtimit, ndalimi i vizitës në Ambasadën e Republikës së Kosovës, dhe ndalim afrimi dhe vendosje kontakti me ambasadorin dhe zyrtarët e tjerë të punësuar në Ambasadë.