Tensionet mes Rusisë dhe NATO-s janë në rritje e sipër. Edhe pse me javë të tëra zhvillohen bisedime diplomatike, rreth 100,000 trupa ruse mbeten të vendosura pranë kufirit me Ukrainën, një ish-shtet sovjetik që ka synim orientimin drejt Perëndimit. Megjithatë, ecja e vazhdueshme e Ukrainës drejt demokracisë dhe aleancës së NATO-s paraqet një kërcënim të drejtpërdrejtë për presidentin rus Vladimir Putin, i cili me këmbëngulsi dëshiron të rikthejë ndikimin rus në rajon. Ka thuajse një dekadë që Putini po zhvillon një fushatë për destabilizim të Ukrainës duke aneksuar Krimenë dhe përkrahur separatisët Ukrainas në lindje të vendit.
Shtrohet pyetja se çfarë dëshiron Rusia? Rusia synon shumë gjëra, por në thelb nënkuptojnë ndryshimin e parametrave të sigurisë së pas Luftës së Ftohtë në Evropë. Putini bëri një sërë kërkesash tendencioze para fillimit të bisedimeve me SHBA-në dhe me anëtaret e tjera të NATO-s që filluan më 10 dhjetor të vitit të kaluar për të zgjidhur krizën ne Ukrainë. Ato përfshijnë garanci për mos zgjerim të mëtejshëm të NATO-s në Lindje (jo vetëm në Ukrainë), mosmbrojtje të aleatëve të SHBA-së me armë bërthamore taktike ose sisteme tjera raketore, dhe të drejtë vetoje mbi levizjet e trupave të NATO-s në territoret e anëtarëve nga Evropa Lindore. NATO është një aleancë mbrojtëse e udhëhequr nga SHBA-ja, e themeluar në vitin 1949 për të kundërshtuar kërcënimin sovjetik në Evropë. Zgjerimi i NATO-s pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në 1991 dhe perfundimit te Luftës së Ftohtë është një çështje kontroverse sepse Rusia beson që Perëndimi e theu premtimin për të mos e zgjëruar NATO-n.
Për të kuptuar kërkesat e Putinit, duhet patur parasysh se ai ushqen urrejtje të thellë kundër Perëndimit, dhe veçanërisht SHBA-së, për përfitimin e tyre ne kurriz të Rusisë së dobësuar gjatë viteve të nëntëdhjeta. Këtu përfshihet edhe intervenimi i NATO-s në Kosovë dhe zgjerimi i saj drejt lindjes për të përfshirë vendet ish-komuniste dhe veçanërisht ish republikat sovjetike si Estonia, Lituania, dhe Letonia. Putini mendon se Rusia është poshtëruar nga Perëndimi dhe lëvizjet e tij agresive gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit, duke përfshirë pushtimin e Gjeorgjisë në 2008 dhe aneksimin e Krimesë nga Ukraina në 2014, mund të shihen si një përpjekje për të rivendosur dominimin Rus mbi ish-sferën e ndikimit të saj.
Shkatërrimi i Ukrainës luan një rol edhe më të rëndësishëm për regjimin e Putinit. Një Ukrainë e suksesshme, demokratike dhe e orientuar drejt perëndimit përbën një kërcënim ekzistencial për regjimin kleptokratik dhe autoritar të Putinit, sepse ofron një model alternativ për popullin rus. Ajo që e tremb regjimin e Putinit më së shumti nuk është NATO-ja, por populli rus i ngritur në këmbë me qëllim për të përmbysur regjimin, gjë që është tentuar disa hërë në njëzet vitet e fundit. Kërcënimi i Ukrainës dhe dështimi i liderëve të saj properëndimorë është në interes të regjimit te Putinit sepse garanton që Ukraina nuk do të bëhet model për rusët. Kjo është një ndër arsyet kryesore pse Rusia ka nxitur një konflikt të armatosur me intensitet të ulët në rajonin Donbas të Ukrainës që nga viti 2014.
Interesat e Ukrainës, Evropës, dhe SHBA-së përputhen, por kriza e tanishme manifestohet ndryshe në këto vende. Ukraina padyshim që po përballet me një kërcënim ekzistencial pasiqë 100,000 trupa ruse janë të vendosura në kufirin e saj dhe janë të gatshme për të pushtuar këtë vend. Per këtë arsye Ukraina po kërkon mbështetje ushtarake dhe diplomatike nga aleatët e saj.
Megjithatë, situata është më e ndërlikuar kur bëhet fjalë për aleatët e Ukrainës. Evropianët kanë lidhje të forta tregtare me Rusinë dhe janë të varur nga eksportet e saj të energjisë, veçanërisht të gazit natyror. SHBA-ja nuk është e varur nga eksportet ruse dhe mundet të mbajë një linjë më të ashpër ndaj Rusisë, duke përfshirë sanksione të rënda ekonomike. Kjo është rezistuar nga aleatët evropian në të kaluarën, veçanërisht gjermanët, të cilët do kishin humbur më së shumti nga ndërprerja e lidhjeve ekonomike me Rusinë. Megjithatë, qëndrimi jashtëzakonisht kërcënues i Rusisë dhe pregaditjet për pushtim të Ukrainës i kanë dhënë një hov të dukshëm aleancës së NATO-s. Ka shenja se anëtarët e NATO-s po bashkohen për t’u përballur me kërcënimin rus duke premtuar ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe sanksione më të ashpra ndaj Rusisë.
Sa i përket SHBA-së, administrata e Biden-it ka bërë diçka të pazakontë duke i saktësuar veprimet që SHBA-ja dhe aleatët e saj do ti ndërmarrin në rast se Rusia pushton Ukrainën. SHBA-ja e ka bërë të qartë se nuk planifikon të ndërhyjë ushtarakisht në Ukrainë. Kjo nuk është për t’u habitur duke pasur parasysh se Rusia është një fuqi bërthamore dhe e di se SHBA-ja nuk do të rrezikojë një shkëmbim bërthamor për Ukrainën. Megjithatë, SHBA-ja dhe aleatët e saj evropianë kanë përcaktuar veprimet që po shqyrtojnë, dhe ato përfshijnë përjashtimin e institucioneve financiare ruse nga sistemi bankar SWIFT, ndihmë ushtarake për ukrainasit për të luftuar në mënyrë guerile ushtrinë shumë më të fortë ruse, pozicionimin e trupave shtesë të NATO-s pranë Rusisë për të garantuar sigurinë e anëtarëve të kërcënuar të NATO-s, dhe ndalimin e eksportit të çipave kompjuterikë apo edhe të gjitha mallrave të konsumit në Rusi.
Këto kërcënime synojnë të ndryshojnë llogaritjet e Putinit dhe ta parandalojnë pushtimin e Ukrainës. Nuk është e qartë nëse ato do të funksionojnë për faktin se sanksionet kundër Rusisë në të kaluarën nuk kanë qenë edhe aq efektive, por kjo është një listë e ashpër e sanksioneve në shqyrtim. Është krijuar një bindje në qarqet politikëbërëse në SHBA se administrata e Obamës nuk ishte e ashpër aq sa duhej ndaj Rusisë. Edhe aleatët evropianë po sinjalizojnë një gatishmëri për të vendosur sanksione shumë më ndëshkuese. Gjermania ka bërë me dije se pushtimi eventual i Ukrainës do ta detyronte atë të rishqyrtojë gazsjellësin kontrovers Nord Stream 2, i cili është një sistem i ri gazsjellësish nën Detin Baltik që lidh Rusinë me Evropën përmes Gjermanisë.
Askush nuk e di se çfarë do të bëjë Rusia. Nga njëra anë, fakti që Putini parashtroi një sërë kërkesash shumë joreale përpara bisedimeve me SHBA-në është shqetësues, sepse kërkesa të tilla maksimaliste mund të ishin projektuar për t’u refuzuar dhe, në këtë mënyrë, për t’i dhënë Putinit pretekstin për të pushtuar Ukrainën. Fakti që Putini deklaroi verën e kaluar se rusët dhe ukrainasit janë një popull nuk ofron shumë ngushëllim.
Nga ana tjetër, grumbullimi shumë i dukshëm i 100,000 ushtarëve në kufirin ukrainas mund të interpretohet si një shfaqje force jo aq shumë e destinuar për një pushtim aktual, por si një mjet pazaresh në negociatat e rëndësishme për të ndryshuar rregullat e lojës së sigurisë në Evropë. Sidoqoftë, ky episod me siguri do të frenojë dëshirën e NATO-s për një zgjerim të ardhshëm për të përfshirë Ukrainën dhe Gjeorgjinë, anëtarësimin e të cilave NATO-ja e ka mbështetur në mënyrë deklarative në të kaluarën.
Ajo që nuk vihet në dyshim është se Putini po përpiqet të rishkruajë rregullat e rendit dhe sigurisë të pas Luftës së Ftohtë në favor të Rusisë.
Autor: Besir Ceka
Profesor i Asociuar
Departamenti i Shkencave Politike
Davidson College
North Carolina, USA