Nga Kuvendi kanë reaguar pas rastit të e-mail-it kërcënues ndaj deputetëve të BDI-së. Nga shtëpia ligjdhënëse thonë se kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi është i bindur se dërguesi do të identifikohet dhe sanksionohet, ndërkaq sigurojnë se publiku do të njoftohet me kohë për të gjitha hollësitë rreth ngjarjes në fjalë.
Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka njoftuar se deputetët e BDI-së kanë marrë mesazhe elektronike me kërcënime nga një dërgues i panjohur. I shqetësuar nga këto mesazhe, kryetari Gashi tashmë i është drejtuar kolegëve të BDI-së dhe institucioneve kompetente për të hetuar incidentin.
Kryetari i Kuvendit dënon ashpër çdo formë kërcënimi, tentativë për dhunë apo nxitje për dhunë. Deputetët zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët dhe liria e fjalës është e pacenueshme, ajo nuk duhet të kërcënojë lirinë e të tjerëve. Anonimiteti në dërgimin e mesazheve të tilla ose në mediat sociale mund t’i japë dërguesit ndjenjë mosndëshkimi, por duhet të pranojmë që institucionet tona janë aktive dhe të afta. Kryetari Gashi është i bindur se dërguesi do të identifikohet dhe sanksionohet. Në shoqëritë demokratike nuk ka vend për kërcënime, ngacmime në asnjë formë. Andaj, kryetari Gashi fton dhe inkurajon të gjitha institucionet kompetente që të veprojnë menjëherë në këtë rast. Kryetari Gashi thekson se ndan shqetësimin e deputetëve dhe familjeve të tyre. Në momentin që institucionet japin ndonjë informacion për rastin në fjalë, mediat do të njoftohen menjëherë nga Kabineti i Kryetarit”, thuhet në reagimin e Kuvendit.