Kërcënim me bombë, tërhiqen të gjithë autobusët e NPQ-Shkup

Në adresën elektronike të Ndërmarrjes Publike Qarkulluese NPQ-Shkup, është dërguar njoftim se do të vendoset bombë në një autobus. Për shkak Ndërmarrja Publike në fjalë ka tërhequr të gjithë autobusët nga qarkullimi.

Nga NPQ-Shkup konfirmojnë se kanë marrë një email kërcënues mbrëmë vonë dhe se sot në mëngjes, sapo është parë emaili të gjithë autobusët janë tërhequr nga qarkullimi dhe rasti është raportuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Ministria për Punë të Brendshme ndodhet në NPQ-Shkup dhe po kryen kontroll, por jozyrtarisht raportohet se alarmin për bombë e ka shkaktuar një prej punonjësve, i cili ka lajmëruar policinë dhe ka denoncuar se në autobusë kishte bombë, por më pas ka pranuar se ka bërë një shaka. Megjithatë, punonjësit e kësaj ndërmarrje janë të vendosur, pavarësisht kësaj situate, të bëjnë protestë pikërisht në mesditë për shkak të pagës së papaguar të shtatorit.