Keqpërdorimi e 7 milionë eurove – Kërkohet përgjegjësi nga Teuta Arifi

VMRO-DPMNE kërkon që për dë*min e shkaktuar në komunën e Tetovës prej disa miliona eurosh, të mbaj përgjegjësi ish kryetarja e komunës Teuta Arifi.
Kjo parti, sot, përmes një komunikate, ak*uzoi koalicionin BDI-LSDM se dë*mtuar komunën e Tetovës për disa miliona euro, për çka, sipas VMRO-së përgjegjësi duhet të mbaj ish kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi, e cila ka shpenzuar këto para për kontrata të njerëzve që nuk kanë shkuar në punë, në vend se të bëhen investime në ujësjellës, ndriçim e infrastrukturë të dëmtuar.

“Koalicioni kr*iminal BDI-LSDM ka dë*mtuar komunën e Tetovës 7 milionë euro. Kaq është dë*mi i mos shkuarjes në punë të 244 personave, të cilët janë paguar nga buxheti i komunës, edhe pse nuk kanë bërë asgjë. 7 milionë euro në vend se të shpenzohen për përmirësimin e higjienës në qytet, instalimet e reja të ujësjellësit dhe kanalizimeve, përfunduan tek persona nga lista e Teuta Arifit, BDI-së dhe LSDM-së. Përgjegjësia nuk duhet të jetë vetëm te njerëzit që nuk kanë shkuar në punë, por mbi të gjitha te Teuta Arifit, si përgjegjëse e institucionit, e cila ka dëmtuar buxhetin e komunës”, thonë nga VMRO DPMNE.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Lidhjes Social demokrate të Tetovës. Përkrahim transparencën, por jo edhe përgjithësimin e emrave. Nga 240 personat e apostrofuar në listë ka edhe që kanë punuar në komunë, thonë nga LSDM, nga ku porosisin që të bëhet publikimi edhe i emrave të të punësuarve me kontratë, edhe në kohën kur BDI ishte në koalicion lokal me VMRO.

“E para duhet që të mos përgjithësohen gjërat, por të shihet kush është aty dhe a kanë bërë ndonjë punë për komunën. Unë pash persona të caktuar që i njoh se kanë punuar për komunën, por pashë edhe persona të afërt me VMRO-në, por që nuk e di se kanë bërë punë në komunë. Por në drejtim të trasparencës, mirë është të shihen jo vetëm këto kontrata, por edhe ato kur VMRO-ja ishte në koalicion me kryetaren Arifi”, deklaroi Ilia Dimitrieski – LSDM.

Ekipi i televizionit Alsat, kërkoi prononcim edhe nga këshilltarët e Bashkimit Demokratik për integrim, por pa përgjigje. Nga ana tjetër, ish kryetarja e komunës së Tetovës teuta Arifi, ditë më parë në mediat e vendit, ka komentuar për herë të parë çështjen e kontratave të publikuara nga komuna e Tetovës. Ajo ka mohuar të ketë 800 kontrata në vepër, ndërsa tha se i qëndron pas çdonjërës prej tyre.

“Normal se nuk ka 800 persona me kontratë në vepër, dhe e dyta këto kanë nxjerrë për 2021 secilën pagesë për persona fizik ku ka edhe anëtarë të komisioneve ,ka pagesa mbi bazën e vendimeve të këshillit pra ka pagesa të ndryshme që janë bërë për personat fizik, por nuk do të thotë se këto persona janë me kontratë punësimi në komunë, e gjitha me tendencë të bëhet tregim i madh e që absolutisht rri pas çdo personi që ka qenë i angazhuar në komunë, por mendoj se nuk është korrekte nxjerrja e të dhënave të njerëzve apo emrave të tyre”, u shpreh Teuta Arifi, ish kryetare e Komunës së Tetovës.

Nga komuna e Tetovës janë shprehur se lënda është në sektorin juridik, i cili, tashmë po përgatit të njëjtën për procesuim të mëtejmë.
“Normal që ne pas publikimit të listës, e kemi drejtuar të njëjtën tek sektori juridik tek personat e autorizuar, për ta ecur më tutje procedurën se si do duhet të veprohet në procedurën gjyqësore”, tha Besar Durmishi, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës.

Ndryshe, ditë më parë, komuna e Tetovës ka publikuar listën me mbi 800 emra të cilët pretendohet të kenë pasur kontratë me komunën e Tetovës gjatë vitit të fundit, shumica e të cilëve pretendohet të mos kenë pasur vend pune në komunë, ndërsa kanë marrë paga mujore.