Keqpërdorime parash në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Shqiptare, RAPORTI

Keqpërdorime parash, shpenzime jashtë kornizave ligjore, pagesa kamatash dhe përmbarues për shkak të mos kryerjes në kohë të pagesave të domosdoshme, shkruan Alsat.

Këto janë disa nga parregullsitë që janë konstatuar në Ansamblin Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në Maqedoni, nga ana e Sektorit për Mbikëqyrje Juridike dhe Inspektuese në Ministrinë e Kulturës.

Në raportin e siguruar nga Alsat, thuhet se drejtori i Ansamblit Shkodran Tolaj nuk ka respektuar nenin 70-b të Ligjit për Kulturë, dhe nuk ka dorëzuar dëshmi për shpenzimet e bëra pa arsyetim gjatë punës së Ansamblit për vitin 2020, por as edhe për vitin 2021.

Gjatë vitit 2020 Ansambli ka shpenzuar pa arsyetim 109 430 mijë denarë prej të cilave

– 50 430 denarë për dy bileta aeroplani dhe pagesë të honorarit për udhëtim në Doha të Katarit, për drejtorin dhe një të punësuar tjetër. Për këtë udhëtim, 36 000 denarë janë paguar për biletat e fluturimet dhe dy honorarë nga 6 765 denarë.

– 9 000 denarë për token bankar,

– 50 000 denarë për furnizimin me karburant për nevojat e drejtorit për veturën private, me të cilën është bërë shkelje e nenit 70-b paragrafi 4, i cili është i ndëshkueshëm në bazë të nenin 91-a, paragrafi 1, alinea 7 dhe paragrafi 2 i Ligjit për Kulturë.

Raporti po ashtu thotë se gjatë inspektimit të punës së Ansamblit, është konstatuar se 12 998 denarë janë paguar kamata ndaj Drejtorisë për të Ardhurat Publike për shkak të pagesave jo në kohë të kontributeve për të punësuarit, 9 385 denarë janë bërë pagesa me detyrim përmes përmbaruesit.

Në vitin 2020, Ansambli ka paguar si mjete të padedikuara 84 184 denarë, për shkak të faturave të papaguara për vitin 2019, ndaj një operatori për shërbime të telekomunikacionit, të cilat nëse paguheshin rregullisht do të kushtonin 56 465 denarë ose rreth 450 euro më pak.

Gjatë vitit 2020, drejtori Shkodran Tolaj ka blerë 7 maska antismog në Prishtinë, në vlerë prej 32 euro, ndërsa në arsyetimin me shkrim thotë se i ka marrë jashtë vendit pasi nuk ka mundur t’i gjente në vendin tonë.

Raporti i Sektorit për Mbikëqyrje Juridike dhe Inspektuese në Ministrinë e Kulturës thotë se gjatë inspektimit të punës së Ansamblit, drejtori Shkodran Tolaj ka paguar gjithsej 17 817 denarë shpenzime për fjetje në hotele dhe për ushqim në restorante për mysafirë nga jashtë vendit. Por në fatura, nuk ka specifikim të shpenzimeve dhe nuk ka llogari fiskale dhe vërtetim.

Për parregullsitë e lartpërmendura, Sektori për Mbikëqyrje Juridike dhe Inspektuese në Ministrinë e Kulturës ka kërkuar që Drejtori i Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në Maqedoni Shkodran Tolaj të respektojë dispozitat ligjore, ndërsa për një pjesë të parregullsive i është dhënë afat që t’i korrigjojë ato./ Alsat.mk