Ministria e Shëndetësisë i ka dhënë leje këngëtarit, Muhamet Sejdiu për të xhiruar klip për COVID-19, para Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
“Kanë marrë leje nga Ministria e Shëndetësisë, për xhirimin e një spoti nga ana e Muhamet Sedjiut, i cili ka qenë me COVID-19”, i tha ky burim Insajderit.
Insajderi, ka siguruar pamje nga vendi i ngjarjes, aty shihen mjekë e qytetarë duke marrë pjesë në klipin e këngëtarit. Disa prej tyre duket se janë edhe pa mjete mbrojtëse.
Këngëtari, Sejdiu edhe vet ka qenë i prekur nga ky virus dhe tani ka vendosur që në shenjë falënderimi për mjekët e infermierët që janë kujdesur për të, t’ju kushtojë këngë.
Dhënia e lejes nga Ministria e Shëndetësisë bie ndesh me kërkesën për respektimin e masave, me qëllim parandalimin e përhapjes së këtij virusi, i cili është i padukshëm.
Vetëm 8 ditë më parë, ministri Arben Vitia në konferencë për media ku foli për masat lehtësuese theksoi se ky vit do të jetë vit i distancës 2-metërshe.
Por, njësoj nuk po ndodh edhe në rastin kur po xhirohej ky klip (mjekë e qytetarë), shihen fare pranë njëri-tjetrit.
Insajderi ka provuar të flas edhe me zëdhënësin e Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti si dhe drejtoreshën e Infektives, Lindita Ajazaj-Berisha, por të njëjti nuk e kanë hapur telefonin.
Ndonëse, ka një javë që numri i të shëruarave është më i lartë sesa i të infektuarve – ka pasur raportime të shumta që mund të ketë valë të dytë të koronavirusit.
Sot, është shënuar edhe viktima e 28 nga koronavirusi në Kosovë, teksa të infektuar janë 861 e janë shëruar 561 persona.