Këngëtarët shqiptarë që aplikuan për tërheqjen e 10 % nga Trusti

Në kuadër të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, qeveria ua mundësoi kontributdhënësve që të tërheqin 10% të shumës së mbledhur nga Fondi i Kursimeve Pensionale.

Brenda një periudhe shumë të shkurtër mbi 50% e qytetarëve që kanë kursime në Trust aplikuan për tërheqjen e 10%.

Këtë mundësi të dhënë nga institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës nuk e lanë pa e shfrytëzuar as disa nga këngëtarët, të cilët pandemia i goditi rëndë ekonomikisht.

Njëjtë veproi edhe këngëtarja e mirënjohur Shkurte Fejza, e cila në një deklaratë për Telegrafin konfirmoi se ka aplikuar për tërheqjen e 10%.

Ajo shton se këtë veprim e ka bërë për shkak se në vitin 2020 iu anuluan të gjitha aktivitetet që ndërlidhen me profesionin e saj.

“Po normalisht që i kam tërhequr sepse ky vit ishte vit i mbrapshtë, do të thoja viti zero, u anuluan të gjitha aktivitetet e tona. Kjo është një mundësi e mirë për të zbutur domosdoshmërinë e përditshme që ka jeta”, ka thënë Shkurte Fejza për Telegrafin.

Sikurse Fejza, edhe këngëtari Burak Vehapi nga grupi “Fama” ka aplikuar për tërheqjen e kësaj shumë nga kursimet pensionale, duke shtuar se është i pakënaqur me ndihmat e shtetit që iu bënë komunitetit ku ai bën pjesë.

“Kam aplikuar për 10% e Trustit Pensional, por nuk i kam tërhequr akoma. Përndryshe kjo nuk është as përkrahje me atë se sa shumë jemi dëmtuar, tek e fundit këto janë paratë tona. Edhe sa i përket ndihmës prej shtetit nuk jemi të kënaqur fare marrë parasysh se jemi të rregullt deklarojmë dhe paguajmë tatimet”, deklaroi Buraku.