Këndoi në dasmën e ish të dashurit që e tradhtoi – Këngëtarja i hakmerret me këngë

Një këngëtare ka deklaruar se i ishte kërkuar që të këndonte në dasmën e ish-të dashurit, i cili sipas saj, e kishte tradhtuar. Alexandra Starr ka thënë se ftesa për të kënduar në dasmën e tij ishte bërë pa e ditur ai, prandaj kishte vendosur që t’i bënte surprizë një këngë për pabesinë, raportoi Daily Mail të martën.

Alexandra, një këngëtare dhe tekstshkruese nga Kalifornia, tha se është shokuar kur është ftuar të performojë në dasmën e ish-të dashurit me vajzën, me të cilën ai e kishte tradhtuar vetëm një vit më parë. Artistja, e cila ka thënë se me dhëndrin ka qenë në lidhje për më shumë se pesë vjet para se të zbulonte se ishte tradhtuar, e ka parë dasmën si mënyrën më të mirë për t’u hakmarrë.

Ajo e ka shokuar dhëndrin kur ka nisur të këndojë para të pranishmëve këngën “Before he cheats” të Carrie Underwood dhe duke gjuajtur më pas ujë në drejtim të tij, një moment ky i cili është xhiruar dhe hedhur në TikTok. Alexandra e kishte fshehur fytyrën në paraqitjen e parë në dasmë, mirëpo kur çifti i sapomartuar ka dalë në skenë për vallëzimin e parë bashkë, ajo u kthye nga ata dhe nisi ta këndonte këngën për tradhtinë. Kjo gjë habiti çiftin e ri, i cili po shikonte se çfarë po ndodhte, derisa në momentin kur dhëndri iu afrua këngëtares, ajo i hodhi ujë në fytyrë.