KE: Maqedonia e Veriut nuk mund të funksionojë përjetësisht me qeveri teknike

Diplomatët dhe funksionarët e lartë në Bruksel janë duke ndjekur nga afër situatën me zgjedhjet dhe bisedimet mes pushtetit dhe opozitës. Ata kërkojnë konsensus, por përkujtojnë se qeveri teknike “nuk mund të zgjatë përjetshëm”, njofton korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.

Është e arsyeshme të mendohet për zgjedhje, nuk mund të ketë qeveri teknik në mënyrë të përjetshme, por gjithsesi zgjedhjet duhet të mbahen nëse kushtet janë të plotësuara, komentojnë funksionarë të lartë të Komisionit Evropian, ku momentalisht vëmendja është tërësisht e kthyer në përgatitjen e kornizave të bisedimeve për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Në Bruksel, si edhe në kryeqendrat evropiane, shumica e bashkëbiseduesve të MIA-s janë të vetëdijshëm se pa Kuvend funksional dhe pushtet të zgjedhur në mënyrë demokratike, në kohë të krizës kur duhet të merren vendime substanciale, të gjitha partitë politike duhet t’u përkushtohen seriozisht bisedimeve dhe të përcaktojnë datë për zgjedhje, në mënyrë konsensuale.

Bojkoti nga njëra ose pala tjetër, mosnjohja e rezultateve, janë skenarë që duhet doemos të evitohen me çdo çmim, komentojnë në institucionet e BE-së, veçanërisht duke marrë parasysh faktin se prej qershorit zgjerimi do të kthehet në rend të ditës së BE-së, me publikimin e kornizave të bisedimeve për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Nuk duhet anashkaluar as faktin se një vend anëtar, Bullgaria, dërgon sinjale të pakënaqësisë nga disa aspekte të caktuara të marrëdhënieve bilaterale dhe se një Qeveri me legjitimitet të plotë do të mund të përkushtohet në mënyrë substanciale në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve potenciale bilaterale, sqarojnë në Bruksel.

Mbetet që zgjedhjet duhet doemos të jenë të organizuara pa mangësi. Me fjalë të tjera, kjo do të thotë se përveç kompromisit mes të gjitha partive, duhet të respektohen kushtet shëndetësore, votimi të jetë i sigurt për qytetarët, të jenë të përgatitur mirë dhe përfundimisht, për legjitimitetin e tyre të plotë është e pëlqyeshme të jenë të pranishëm edhe vëzhguesit ndërkombëtar nga misioni i OSVE/ODIHR-së, krahas atyre vendorë.

– Vëzhguesit ndërkombëtar nuk janë obligim, por u japin legjitimitet zgjedhjeve, nëse nuk ka vëzhgues ndërkombëtar krijohet hapësirë për kontestimin e procesit dhe rezultatit, kështu që për BE-në prania e tyre është me rëndësi, shprehen burime diplomatike për MIA-n.