KE-ja në negociata me kompaninë e pestë për vaksinat kundër Covid-19

Komisioni Evropian (KE) ka kumtuar se po hyn në negociata me kompaninë farmaceutike “Modern” për blerjen e vaksinës së mundshme kundër Covid-19.
“Modern” është kompania e pestë me të cilën Komisioni Evropian po negocion për kushte më të favorshme për qasje tek vaksina kundër virusit, pasi ajo të zbulohet. Katër kompanitë e tjera janë: “Sanofi-GSK”, “Xhonson dhe Xhonson”, “KjurVak” dhe “AstraZeneka”.

Komisioni njofton se marrëveshje hipotetike me kompaninë “Modern” do t’i lejonte vendet anëtare të BE-së të blinin vaksinën dhe ta dhuronin atë në vendet ekonomikisht të cenueshme. Për momentin, pala evropiane vlerëson se në parim do të bliheshin tetëdhjetë milionë doza për BE-në, me mundësinë për tetëdhjetë të tjera shtesë pasi vaksina të zbulohet të jetë efektive dhe e sigurt.

“Pas negociatave intensive, Komisioni Evropian tani ka përfunduar bisedimet me kompaninë e pestë farmaceutike për të siguruar qasje të shpejtë në vaksinën për evropianët. Ne investojmë në kompani që përdorin teknologji të llojllojshme për të rritur shanset tona për vaksina të sigurta dhe efektive. Ne vazhdojmë të negociojmë me kompani të tjera sepse duam të sigurohemi që vaksinat në mënyrë të shpjet të jenë në dispozicion në treg”, deklaroi Ursula von der Lajen, kryetarja e Komisionit Evropian.

“Modern” është kompani me qendër në SHBA. Nëse këto negociata japin fryte, rezultati do të financohet me ndihmën e instrumentit evropian të ndihmës emergjente, fond me portofol të veçantë kushtuar vaksinave të mundshme me “profil të larmishëm”.

Komisioni Evropian synon t’u sigurojë qytetarëve qasje në vaksinë deri në fund të vitit të ardhshëm me çmim të përballueshëm për të gjithë si në BE ashtu edhe në botë.