KE: Buxheti i pushtetit gjyqësor është zvogëluar për rreth 2.5 milionë euro

Komisioni Evropian në raportin për përparimin e vendit, llogariti se nga viti 2019 buxheti i gjyqësorit është zvogëluar. Sipas matematikës së BE-së, në dokument thuhet se në tre vitet e fundit paratë për gjyqësorin kanë qenë në minus me 8.3 për qind. Pyetëm në Ministrinë e Drejtësisë se cili është rekordi i kësaj rënieje të mjeteve buxhetore të cilat i kanë gjykatat dhe prokurorët në mbarë Maqedoninë? Ata u përgjigjën se përllogaritja e BE -së nuk përfshin paditë e gjykatësve të cilët i kanë kërkuar kompensimet e papaguara.

“Buxheti gjyqësor në vitin 2019 në krahasim me buxhetin për vitin 2020 është rreth 8% më i lartë sepse në buxhetin gjyqësor për vitin 2019 ishin siguruar 120 milionë denarë shtesë për pagesën e kompensimeve për gjykatësit që kishin ngritur padi dhe më pas i kishin tërhequr ato, dhe me ta ishte arritur marrëveshje për pagesën e shtesave. Me këtë u kursyen shpenzimet shtesë gjyqësore që do të duhej të paguheshin nëse nuk arriheshin marrëveshjet dhe nuk u tërhiqnin paditë. Kështu, në vitin 2019, 120 milion denarë shtesë u siguruan dhe u paguan mbi këtë bazë dhe për këtë arsye ajo shumë prej 120 milion denarë nuk përfshihet në buxhetin e gjykatës për vitin 2020”, njoftojnë nga Ministria e Drejtësisë.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, gjykatësit me procedurë jashtëgjyqësore kanë arkëtuar afro dy milionë euro nga thesari i shtetit në bazë të kompensimeve të papaguara apo shtesave të pagave. Të dhënat e buxhetit tregojnë se në vitin 2019 gjyqësori kishte 33.4 milionë euro në dispozicion. Vitin tjetër kanë pasur 2.4 milionë euro më pak, por për këtë vit janë siguruar sërish me më shumë para, respektivisht 35 milionë euro.

Para për Gjyqësorin
2019- 33.4 milionë euro; 2020 – 31 milion euro; 2021 – 35 milionë euro.
Komisioni Evropian në raportin e fundit vuri në dukje progres mesatar në fushën e gjyqësorit. Ai tha se nevojiten përpjekje që të sigurohet zbatimi sistematik i planit dhe strategjisë për reformën në drejtësi. Por në të njëjtën kohë, theksoi se element i rëndësishëm është se disa nga rastet për të cilat Prokuroria Speciale ka ngritur kallëzime janë në progres dhe është vërtetuar përgjegjësi për autorët.