Katër të punësuar nga Kopshti Zoologjik i Shkupit janë vendosur nën mbikëqyrje shëndetësore, një person do të testohet për gripin e shpendëve për shkak të shfaqjes së simptomave

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonovska, dha një deklaratë për mediat pasi u konfirmua prania e gripit të shpendëve te një patë në Kopshtin Zoologjik të Shkupit.

“Gjatë ditës së djeshme është kryer një reagim i shpejtë dhe i koordinuar nga institucionet kompetente, sipas rregulloreve dhe protokolleve ligjore. Menjëherë pas raportimit nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari te Instituti i Shëndetit Publik se ekziston një rast i konfirmuar laboratorikisht i “gripit të shpendëve” te shpendët në kopshtin zoologjik në Shkup, u organizua një takim urgjent mes përfaqësuesve të AUV-së, epidemiologëve nga Qendra për Shëndet Publik dhe Instituti i Shëndetit Publik. Në atë takim, u përpilua një listë me 16 persona të punësuar në kopshtin zoologjik dhe u nis anketa epidemiologjike. Nga të dhënat e marra nga epidemiologët që kryen anketën, u kontaktuan 15 nga 16 personat në listë. Gjatë ditës së sotme do të bëhen përpjekje për të kontaktuar edhe personin e fundit. Për sa i përket 15 personave të kontaktuar, epidemiologët nesër do të lëshojnë një vendim që 4 prej tyre të vendosen nën mbikëqyrje shëndetësore. Do të ndiqen edhe të tjerët, por zyrtarisht nën mbikëqyrje do të jenë këta 4,” tha Andonovska.

Ajo shpjegoi se “mbikëqyrja shëndetësore nuk nënkupton karantinim dhe izolim, por gjatë dy javëve të ardhshme këta 4 persona do të monitorohen për ndonjë simptomë që mund të tregojë gripin e shpendëve. Ata do të kontaktohen çdo ditë nga epidemiologët e IShP-së dhe do të vëzhgohet gjendja e tyre shëndetësore.”

“Njëri nga këta persona më 18-të pati disa simptoma që zgjatën një ditë, të tilla si: temperaturë dhe diarre, por kjo nuk do të thotë se ai person ka gripin e shpendëve. Ai person do të testohet sepse rekomandimet nga epidemiologët dhe mikrobiologët që testimi të kryhet brenda pesë ditëve pas shfaqjes së simptomave të para,” shtoi drejtoresha e institutit.