Kastriot Rexhepi: “Opozita shqiptare, e koordinuar me VMRO-në për bllokimin e Kuvendit” (VIDEO)

Deputeti i pavarur, Kastriot Rexhepi, ka mbështetur pretendimet e zv.kryeministrit Artan Grubi, se opozita shqiptare dhe ajo maqedonase në mënyrë të koordinuar pengojnë punën e Kuvendit. Sa i përket pretendimeve për përzierjen ruse te opozita në vend, Rexhepi ka thënë se nuk mund të flet pa argumente, ndërsa ka potencuar gatishmërinë e të gjitha partive shqiptare për të mbështetur proceset euro-integruese.

“Është fakt se opozita koordinohet në aktivitetet e saja sa i përket bllokimit të Kuvendit për mos hapjen e seancave. Nëse mungon ndonjë deputet i shumicës, në atë rast mungojnë edhe deputetët e opozitës maqedonase edhe deputetë nga opozita shqiptare. Sa i përket indikacioneve të qarta, unë pa patur fakte dhe argumente, nuk mundem të flas për to, mirëpo është fakt dhe atë e dijnë të gjithë se, të gjithë ata që mundohen të bllokojnë procesin e integrimeve, këto gjëra nuk kalojnë. Por, për fat të mirë, partitë shqiptare deri më tani kanë treguar gatishmëri për të mbështetur procesin euro-integrues dhe kjo është një fakt pozitiv”, ka thënë deputeti Kastriot Rexhepi. Ai ka folur edhe për ndryshimet kushtetuese dhe heqjen e 20%-shit nga Kushtetuta. Intervistën e plotë mund ta ndiqni në videon më poshtë.