Kasami: Udhëheqësia e kaluar e komunës së Tetovës ka rrënuar dhe shkatërruar gjithçka

Kreu i Tetovës në press konferencë për media mes tjerash tha se udhëheqësia e kaluar e komunës së Tetovës ka rrënuar dhe shkatërruar gjithçka. Dëmi që ata kanë shkaktuar taksapaguesve tetovar, është i pa falshëm, vetëm në një lëndë ku vlera e ekspropejimit ka qenë 3 milion denar dhe vlera e kamatës për këtë shumë është 65 milion denar, lëndë e cila daton që nga vitet e 80-ta, e cila është riaktivizuar në vitin 2015, për të cilën të gjitha vendimet gjyqësore kanë qenë pozitive dhe ne dyshojmë se udhëheqësia e kaluar qëllimisht nuk e ka ankimuar vendimin për të cilin sot e kësaj dite Komuna e Tetovës paguan kamatë dhe kjo dëmton jo vetëm buxhetin e Komunës, por dëmton edhe qytetarët.
Prandaj, ne sot kemi thirr konferencë për media që ta informojmë opinionin se ne si komunë kemi ngritur padi penale ndaj ish kryetares së Komunës dhe një zyrtare të afërt të saj, ndaj një gjykatësi dhe një avokati nën dyshimin se kanë keqpërdorur autoritetin dhe pozitën zyrtare duke dëmtuar buxhetin e Komunës së Tetovës, në vlerë prej 68 milion denar për të cilën lëndë ne që nga marrja e mandatit vetëm për kamatë ne kemi paguar mbi 29 milion denar, përafërsisht gjysmë milion euro.
Lënda me Nr. P47/20 për të cilën bëhet fjalë ka të bëjë me një pronë ekspropeimi i të cilës është bërë shumë më herët dhe vlera ka qenë afër 50 mijë euro.
Ish drejtuesit nuk kanë reaguar në kohë dhe nuk kanë parashtruar asnjë ankesë apo të bëjnë marrëveshje me palën që të mos dëmtohet buxheti i komunës së Tetovës, me të vetmin qëllim për te përfituar nga pazaret e mundshme që kanë mundur të bëjnë me palën.
Ne nuk duam të viktimizohemi, e as tentojmë që të spekulojmë për dështimet dhe shkeljet e shumta ligjore që janë bërë gjatë qeverisjeve të kaluara, por vetëm shpalosim faktet dhe argumentet. Nëpërmjet reagimeve tona, ne mundohemi që qytetarëve t’ua sqarojmë se ku kanë përfunduar paratë e tyre. Qytetarët kanë të drejt të dinë se pse xhirollogaria e Komunës së Tetovës është e bllokuar dhe kjo pengon funksionimin normal të pushtetit lokal.
Ne kërkojmë nga Prokuroria Publike që ky rast të hetohet dhe të konstatohen të gjitha lëshimet e mundshme që janë bërë dhe gjithashtu kërkojmë të dëmshpërblehet komuna për dëmin financiar që i është shkaktuar.
Po ashtu kërkojmë nga Prokuroria Publike të shqyrtojë faktin nëse personat e lartpërmendur a kanë qenë bashkëkryerës të veprës penale “Keqpërdorim të detyrës zyrtare në përputhje me nenin 353 paragrafi 3 me paragrafin 1 neni 22 të Ligji për vepër penale si dhe bashkë-autor të veprës penale pengimin e të drejtës nga neni 368a – paragraf 5 të LVP.
Pavarësisht pengesave të shumta që na vijnë si rezultat i bllokimit të xhirollogarisë dhe borxheve të mëdha ne do të vazhdojmë të punojmë në realizimin e të gjitha projekteve për të cilat jemi zotuar pas marrjes së detyrës.