Kasami: “Të hënën do ketë raport të detajuar për realizimin e punimeve në Tetovë” (VIDEO)


Të mërkurën kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami kërkoi nga Sektori për veprimtari komunale dhe mbrojtje të ambientit jetësor dhe natyrës të pezullon punimet pas disa ankesave, duke paralajmëruar që do të shqyrtohen tenderët, nën dyshimin se po kryhen pa standarde. Për këtë Kasami tha se nga e hëna do të ketë një raport të detajuar për të gjitha punët dhe mënyrën se si janë realizuar dhe më pas do të vendoset si do të vazhdohet me to.

Kasami të premten tha se ka angazhuar komision, bashkë me sektorin për veprimtari publike që të dalin në terren dhe ashtu si e kanë informuar janë në përpilim të raportit.
Bëhet fjalë për të gjitha projektet infrastrukturore, rrugë, rrjet të kanalizimit, rezervuare të ujësjellësit.

“Janë mbi 20 projekte me vlerë shumë të madhe, pres në kuadër të raportit të kem edhe vlerën e të gjithë projekteve për të cilat unë sot mund të konstatoj që ato mjete/para nuk kanë qenë të siguruara në buxhet, por do ta rrisin borxhin e komunës për atë vlerë që janë projektet. Nga e hëna do të keni një raport të detajuar për të gjithë ato punë të cilat janë realizuar si në aspektin teknik ashtu edhe në aspektin formalo/juridik se a kanë qenë të realizuara në bazë të ligjit dhe deri ku ka mbërrit faza e realizimit.” tha Bilall Kasami.

Ai shtoi se në bazë të raportit që do ta merr nga komisioni do të konstatohet se aty ku ka lëshime të rënda ligjore në aspektin formalo juridik apo në aspektin teknik të realizimit të punëve, do të duhet të bëjnë raport të veçantë për çdo projekt.

“Aty ku nuk do të konstatojmë gabime të rënda dhe ku do mund të përmirësohen në këtë fazë, me urgjencë do të vazhdohet dhe në kohë sa më të shpejtë ato projekte do përmbyllen.” shtoi Kasami.

Ndryshe, nga problemet më të mëdha të Komunës së Tetovës është borxhi i cili jozyrarisht është mbi 20 milion euro. I pyetur nga Portalb.mk për atë se saktësisht është borxhi i komunës, Kasami të premten tha se “do kemi një informatë të detajuar”. Ndërkaq, për shumë vendime nevojitet të formohet këshilli, i cili ende nuk është bërë. Kasami të premten tha se çështja e këshillit është zgjidhur, por nga çështja e zhvillimeve të fundit që ndodhën në nivel qendror e kanë prolonguar takimin për të hënën. Ai shtoi se kur do të mbahet mbledhja do ta kuptojmë edhe shumicën, apo si do të funksionojë këshilli./Portalb.mk

https://m.facebook.com/portalb.mk/videos/430286135231932/?locale2=en_US