Kasami: “Ska fuqi dhe pr*esion që e ndal fitoren tonë”

“Ne jemi këtu, nuk jemi mysafirë në shtëpitë tona, ne nuk ikim, nuk kemi ku shkojmë, ne i duam vendet tona”, kështu tha Bilall Kasami në fjalimin e tij në tubimin final të Lëvizjes Besa në Tetovë në të cilën partia ka hyrë në garë me kreun e sajë. Kasami shtoi se vjen nga Tetova dhe ajo është shtëpia e tij, për të cilën do të kujdeset deri në frymën e fundit.

“Unë jam prej Tetove, Fadili prej Gostivari, Kastrioti prej Çairi, Fatmiri prej Piroku, Dauti prej Sllatine, Luani prej Sllupçani, Hasimi prej Saraji, Abdullahi prej Llabunishte, Agimi prej Zhitoshe, Senadi prej Gradeci, Blerimi prej Zheline… Ne i duam vendet tona. Aty kemi shtëpinë, aty rrisim fëmijët, aty ndërtojmë ardhmërinë. Ne jemi këtu, nuk jemi mysafirë në shtëpitë tona. Tetova është shtëpia ime, as nuk kam ku shkoj, e as nuk dua të shkoj. Të ardhmen duam ta ndërtojmë, ta ndërtojmë bashkë me ju, për fëmijët tanë”, deklaroi Kasami.

Tha se nuk ka fuqi që e ndal këtë ortek në Tetovë.
“Nuk ka presion që mund ta ndal këtë eufori. Asgjë e gjallë nuk mund ta ndal fitoren tonë. Fitorja jonë nuk është vetëm fitorja e aktivistëve të Lëvizjes BESA, fitorja jonë nuk është fitore e koalicioneve partiake, fitorja jonë do të jetë fitore e koalicionit me popullin. Fitorja jonë do të jetë fitore e qytetarit të shtypur, fitorja jonë do të jetë fitorja e qytetarit të heshtur, fitorja jonë do të jetë fitorja e atyre njerëzve të ndershëm, fitorja jonë do të jetë fitorja e Tetovës”, tha Kasami.