Kasami siguron se do të hapet bulevardi “Bllagoja Toska”

Kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami, ka paralajmëruar se hapja e bulevardit Bllagoja Toska do të vazhdojë të jetë ndër prioritetet e administratës së re komunale. Në një prononcim për media, ai ka thënë se pas zgjidhjes së problemeve me llogarinë e komunës, do të përkushtohet në gjetjen e fondeve për përfundimin e këtij bulevardi, që sipas tij është mjaft i rëndësishëm për qytetarët e Tetovës.

“Ai është një ndër projektet e rëndësishme infrastrukturore i cili do të lehtësojë komunikacionin në Tetovë. Një pjesë është në realizim e sipër me mjete të TAV-Maqedonia. Pjesa tjetër sigurisht se në periudhën që vjen, ne do të fillojmë procedurat adekuate që të vazhdojë ai projekt të realizohet që është lidhja me bulvardin tjetër që nënkupton kompletimin e atij aksi. Është një preokupim i yni dhe unë nga moment i parë kur do të zgjidhim çështjet që kanë të bëjnë me bllokimin e llogarisë së komunës, do të ulemi edhe do t’i ofrojmë aspektet kohore të realizimit dhe konstruksionit financiar dhe sigurimit të fondeve që të përmbyllet ai projekt. Qëndroj pas këtij projekti se deri në fund të mandatit tim ky bulevard do të hapet dhe jo vetëm ky por dhe të tjerë”, tha Kasami.

Në ndërkohë, vitin e kaluar para fushatës zgjedhore janë përuruar punimet rreth vazhdimit të ndërtimit të bulevardit Bllagoja Toska, në Tetovë. Një projekt tashmë shumë i përfolur dhe i vonuar tetë vite. Por, sipas informacioneve të banorëve lokal që jetojnë në këtë zonë dhe që janë përfshirë në procesin e denocionalizimit, mosmarrëveshjet me komunën e Tetovës rreth shpronësimit të pronave mund të jetë pengesë për vazhdimin e bulevardit.

Komuna filloi me punët ndërtimore para urës tashmë të ndërtuar në lumin Shkumbin, përderisa pas urës gjenden shtëpitë të cilat duhet të rrënohen që të vazhdohet bulevardi. Disa prej tyre ishin rrënuar gjatë viteve të kaluara, por ka ende shtëpi ku ende banorët jetojnë. Banorët ankohen se nuk ka marrëveshje reale për dhënien e pronave të tyre. Hapja e bulevardit “Bllagoja Toska” është një nga kërkesat kryesore të banorëve të Tetovës për shkak të rritjes së frekuentimit të automjeteve në bulevardet tjera dhe ndërtimi i tij do të krijonte mundësi që të lehtësohej komunikacioni në shumë pjesë të qytetit të Tetovës. Sipas informacioneve nga terreni, për ndërtimin e këtij bulevardi është folur edhe në vitet e 90-ta, por prej atëherë e këndej nuk është bërë asgjë konkrete. Për ndërtimin e këtij bulevardi, qeveria e Maqedonisë së Veriut, kishte ndarë mjete në vlerë prej rreth 29 milionë denarë.