Kasami: Reforma e thellë në administratën komunale, prioritet për ne

Kandidati për kryetar komune të komunës së Tetovës nga radhët e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami mbajti konferencë shtypi para ndërtesës së komunës duke u kthyer në atë si do të punojë vetëqeverisja lokale me udhëheqësinë e tij. Ai potencoi se do të bëjë përpjekje për funksionim të drejtë dhe efikas të administratës komunale.

“Menaxhimi optimal me resurset njerëzore jo vetëm që e rrit funksionalitetin e komunës, por e rrit edhe efikasitetin e shërbimeve të qytetarëve. Ekipi im dhe unë jemi të përkushtuar në një menaxhim efikas, ndërmarrje profitabile në shërbim të qytetarëve. Administrata komunale është reflektim i qëllimeve dhe politikave zhvillimore. Menaxhimi i suksesshëm me komunën është i lidhur me cilësinë e administratës komunale. Administrata jofunksionale është barrierë për investime produktive.

Lëvizja Besa do të bëjë reforma të thella në administratë dhe në menaxhimin e ndërmarrjeve komunale, duke i transmetuar vlerat e BE-së përmes administratës së mirë e cila do të jetë në shërbim të qytetarëve dhe do të promovojë mbrojtje të interesit publik, njëkohësisht duke i respektuar të drejtat dhe interesat e qytetarëve. Vendosja e inovacioneve teknologjike dhe përshtatja e administratës komunale me trendet botërore do të jetë prioritet për Lëvizjen Besa”, deklaroi Kasami.
Punët e parashikuara, sipas Kasamit, do të realizohet me riorganizimin e administratës komunale.