Kryetari i njërit krah të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, i shoqëruar nga nënkryetari Kastriot Rexhepi dhe sekretari i përgjithshëm, Arjanit Hoxha, realizoi takim me ambasadorin e SHBA-së në Shkup, Xhes Bejlli. Në takim, siç kumtojnë nga partia përmes një kumtese, u diskutua për aktualitetin politik në vend me theks të veçantë për marrjen e ftesës për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në NATO, mbajtjen e Referendumit, zbatimin e marrëveshjes për çështjen e emrit dhe reformat në gjyqësor si një ndër kërkesat kryesore për vendin për proceset integruese në strukturat euroatlantike, njofton Medial.mk.
Kasami, siç thuhet në kutmesë, “vlerësoi lartë kontributin e shtetit amerikan për vendosjen e drejtësisë në vend dhe zbatimin e plotë të reformave për një të ardhme më të mire për të gjithë qytetarët pa dallim përkatësia e tyre etnike apo religjioze”.
Gjithashtu ai shprehi gatishmërinë e krahut të tij të Lëvizjes BESA dhe si parti opozitare që të kontribojë fuqishëm për referendumin, “me të vetmen arsye, të rezultojë i suksesshëm dhe vendi të mos ketë përsëri krizë të thellë politike”. Në fund të takimit, të dy palët u pajtuan për takime dhe komunikim të rregullt edhe në të ardhmen.