Kryetari i Lëvijes BESA, Bilall Kasami, i quajti të panevojshme deklaratat e kryeministrit shqiptar Edi Rama të bëra dje në Shkup, në adresë të tij. Në një intervistë për televizionin Syri në Tiranë, Kasami tha se Rama nuk duhet të bëjë skena gjatë vizitave në Maqedoninë e Veriut, Kosovë apo Serbi, por duhet të merret seriozisht me çështjen dhe problemet e shqiptarëve në këto shtete, sepse është i obliguar për ta bërë këtë me Kushtetutën e Shqipërisë.
“Ne kemi një kryeministër që është i mirë për protagonizëm dhe din mirë kështu skena të luaj. Ajo që është me rëndësi, z.Rama duhet të merret më seriozisht me çështjen e shqiptarëve jo vetëm në Shqipëri por edhe jashtë vendit, sepse edhe me kushtetutë të Republikës së Shqipërisë, Shqipëria është e obliguar që të kujdeset për shqiptarët gjithandej, por fatkeqësisht ne po shohim një agjendë tjetër të kryeministrit edhe në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë. Prandaj e vlerësoj të panevojshme këtë polemikë në distancë sepse ne e kishim edhe një ftesë tjetër të kryeministrit për të vizituar Tiranën, ku ai ftoi krerët e partive të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, por një ftesë vetëm për të ngrënë darkë dhe jo për të biseduar më seriozisht për problemet e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut”, tha mes tjerash, kryetari i Lëvizjes BESA në një intervistë për televizionin Syri në Tiranë.