Mexhiti:Prej nesër do të fillojmë me punë, t’ia kthejmë dinjitetin profesionistit, mësuesit, policit, mjekut, administratorit, motrës medicinale, drejtoreshës e zejtarit

Izet Mexhiti nga VLEN nëpërmjet një statusi në Fejsbuk ka theksuar se që prej nesër do të fillojmë me punë me përkushtim, të kontribuojmë në rikthimin e shpresës në shoqërinë tonë, ndërsa institucionet t’i reformojmë nga themeli, e t’i bëjmë të funksionojnë të bazuara mbi meritokracinë dhe vlerat.

“Sonte u votua Qeveria e re, reformuese, europiane, për mandatin e ardhshëm 4 vjeçar.

Me këtë ne po hapim një kapitull të ri në politikbërjen e RMV-së.

Prej nesër do të fillojmë me punë me përkushtim, të kontribuojmë në rikthimin e shpresës në shoqërinë tonë, ndërsa institucionet t’i reformojmë nga themeli, e t’i bëjmë të funksionojnë të bazuara mbi meritokracinë dhe vlerat.

Ne do të bëjmë NDRYSHIMIN, jo vetëm ndërrimin e këtyre strukturave të deritanishme, apo zëvendësimin e një strukture korruptivo klienteliste me një tjetër.

Ne do të përpiqemi maksimalisht që t’ia kthejmë dinjitetin e mohuar profesionistit, mësuesit, policit, mjekut, administratorit, motrës medicinale, drejtoreshës e zejtarit; do t’u themi bashkërisht STOP presioneve politike e revanshizmit. Do të jemi në shërbim të të gjithëve, atyre që na votuan dhe atyre që nuk na votuan, sepse pushteti për ne paraqet mjet për t’u shërbyer qytetarëve, jo për të sunduar.

Do të mundohemi të krijojmë kushte që ta ndalojmë migrimin ndërsa diasporen ta kthejmë në vendlindje.

Besimin e humbur të qytetarëve ndaj politikës dhe politikanëve për shkak të keqpërdorimit të këtij besimi, sinonim i të cilit ishte llotaria dhe lojërat e fatit, do të mundohemi ta rikthejmë me shërbim ndaj qytetarëve, çdo ditë, duke i luftuar pandërprerë devijimet që i solli pushteti i kriminalizuar në ikje dhe duke bërë luftë të pakompromis me krimin dhe korrupsionin.

Korrupsioni është kthyer në epidemi të shoqërisë sonë. Ai po e han pasurinë e shtetit, pensionin e punëtorit, sigurimin shëndetësor të nevojtarit. Korrupsioni nuk ka përkatësi etnike dhe nuk guxon të trajtohet në atë mënyrë! Kush ka keqpërdorur pozitën dhe funksionin për t’u pasuruar do të përgjigjet, dhe drejtësia e vonuar do të mbërrijë! Nuk do të falen për korrupsion as shqiptarët, as maqedonasit, as të tjerët, sepse vetëm kështu do të sigurohemi se shteti i së drejtës dhe zbatimi i ligjit janë në funksion në vendin tonë.

Sonte do të pranoj detyrën e zëvendës kryeministrit të parë dhe ministrit të mjedisit jetësor dhe planifikimit hapsinor. Në këtë detyrë vij me mbështetjen dhe besimin tuaj. Gjatë ushtrimit të kësaj detyre në vëmendje do të kem edhe fjalët e intelektualëve, edhe idealet e patriotëve, edhe guximin e luftarëve, edhe mallin e mallëngjimin e familjeve të dëshmorëve. Do të punojmë me nder e përkushtim, që amanetet e tyre t’i materializojmë dhe për secilin shqiptar ta bëjmë Maqedoninë e veriut një vend më dinjitoz për të jetuar”, ka shkruar Mexhiti.