Kasami: Nuk do të lejojmë ndërtime pa leje

Kandidati për kryetar të komunës së Tetovës nga rradhët e Lëvizjes BESA, Bilall Kasami mbajti konferencë shtypi në të cilën i potencoi problemet infrastrukturore me të cilat përballet qyteti dhe zgjidhjet të cilat i ofron për to. Ai potencoi se në të ardhmen gjatë ndërtimit do të respektohen standardet për ndërtim me sipërfaqe të gjelbër të parashikuar dhe vende për rekreim.

“Tetë vjet jo vetëm që nuk ka përmirësime, por vetëm përkeqësohet. Rrugë dhe bulevarde të shkatërruara, mospasje të parkingjeve, rrëmujë në komunikacion, ndërtimet pa plan janë treguesit kryesor për Tetovën e sotme. Që të shkohet me automobil nga hyrjet deri në qendër të qytetit, banorëve u nevojiten 45 minuta. Gjendja po bëhet gjithnjë e më alarmante për automjetet ambulatore të cilat çdo ditë përballen me rrëmujë të komunikacionit”, tha Kasami.

Ai thotë se ekipi i tij ka zgjidhje konkrete.
“Nuk do të lejojmë ndërtime pa leje- gjithë politika urbanistike do të fokusohet në zgjerimin e mjediseve urbane, ndërsa jo në mbytje të atyre ekzistuese. Plan urbanistik detajor për Kodrën e Diellit, Reçicën e Vogël dhe disa lagje të qytetit. Do të përkushtohemi në hapjen e tre bulevardeve si arterie kryesore e qytetit Qendër-Ilinden”, vazhdojmë në bulevardin “Bllagoja Toska” dhe bulevardin “Vidoe Smilevski-Bato”, theksoi Kasami.
Sipas ideve të Kasamit gjendja në qytet do të përmirësohet me ndërtimin e parkingjeve në kate.