Kasami nga Besëlidhja e Lezhës: Pllaka Dardanus e dëshmon autoktoninë tonë në trojet shqiptare

Kreu i Tetovës, Bilall Kasami në Shqipëri ka marrë pjesë në përkujtimin e Besëlidhjes së Lezhës. Para të pranishmëve Kasami ka mbajtur një fjalim që është ndërlidhur me situatën aktuale në Maqedoninë e Veriut dhe me gjetjen e fundit të pllakës Dardanus në Karposh të Shkupit.

Në vazhdim ju sjellim fjalimin integral të z.Kasami:

Trajektorja e historisë shqiptare, e bashkimit dhe e afirmimit të idesë së shtetit shqiptar në periudhën e mesjetës ka për zanafillë Kuvendin e Lezhës, këtë parlament të hershëm shqiptar që i jep kuptim gjithë ekzistencës së kombit shqiptar në periudhat e mëvonshme. Kuvendi i Lezhës është themeli i identitetit etnik, kulturor dhe politik të shqiptarëve në rrugën e trazuar të historisë. Është pika ndriçuese që ka përndritur gjithë përpjekjen e shqiptarëve për të pasur shtetin e tyre në rrethana të përhershme sundimi dhe pengesash të shumta në rrugën e afirmimit të identitetit kombëtar.

Kuvendi i Lezhës përfaqëson vetëdijen e kristalizuar kombëtare dhe politike për shtet dhe përgjithësisht për mëvetësi në rrugën e historisë, përfaqëson përpjekjen e vazhdueshme të shqiptareve si entitet i veçantë etnik dhe kulturor në rrjedhën e historisë. Ky kuvend për më tepër është shprehje e vullnetit përbashkues të princërve shqiptarë, të fisnikëve, të cilët me Besëlidhjen e Lezhës shpërfaqën vullnetin e pakontestueshëm për mëvetësi shtetërore në periudhën, që tashmë në historinë shqiptare, por edhe atë botërore njihet si Periudha Gjergj Kastriot Skënderbeut.
Padiskutim Kuvendi i Lezhës si një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë shqiptare rrumbullakonte praninë e shqiptarëve në histori që nga antikiteti ilir, si një vazhdimësi mbijetese dhe rezistence të përhershme. Kjo trashëgimi antike e shqiptarëve, këtyre ditëve është dëshmuar edhe nëpërmjet gërmimeve arkeologjike në Skupin e lashtë, që tashmë po vërtetohet nëpërmjet pllakës mbivarrore Dardanus si prani e padiskutueshme në antikitetin e vonë, por edhe si kontinuitet historik autoktonie.