Kasami në “Rrugën e Butiqeve” premton përkrahje për biznesin e vogël

Sot kreu i Lëvizjes Besa, njëherit edhe kandidat për kreun e Komunës së Tetovës ka vizituar rrugën e butiqeve, rrugë kjo e cila është e njohur për shitoret artizanale të komunës së Tetovës.
Gjatë takimit të rastësishëm me qytetarët dhe pronarët e shitoreve artizanale, Kasami ka shpalosur edhe programin e tij për sa i përket zhillimit të këtij sektori.

Ekonomia tetovare ka ende energji të paçliruar. Lëvizja BESA do ta “rindërtojë” modelin e zhvillimit ekonomik dhe mirëqenien ekonomike përmes investimeve kapitale dhe investimeve të huaja, projekteve lokale, iniciativës ndërmarrëse, zhvillimit të agrobiznesit, agroturizmit dhe turizmit rekreativ e kulturor, tërheqjen e investimeve të huaja direkte në zonën ekonomike të Tetovës, lehtësirave fiskale dhe administrative duke synuar t’a ulim papunësinë, sidomos për të rinjtë.

Komuna e Tetovës e udhëhequr nga Lëvizja BESA do të garantojë sigurinë e investimeve dhe mirëqenien e tetovarëve, ku do të balancohen interesat e grupeve dhe shtresave të ndryshme sociale, duke u bazuar në tre fushat e ndërlidhura të ekonomisë, shoqërisë dhe mjedisit.

Jeta kulturore dhe artistike e banorëve të Tetovës është një objektiv i rëndësishëm për Lëvizjen BESA. Prandaj, Lëvizja BESA nëpërmjet projekteve konkrete do t’i përkrah teatrot, bibliotekat, punëtorët e kulturës, shoqëritë kulturore dhe artistike. Do të kemi kujdes dhe përkushtim të veçantë për trashëgiminë kulturore dhe historike, si dhe potencialin e turizmit kulturor. Si në fushën e arsimit, ashtu edhe në kulturë do të inicojmë bashkëpunim me institucionet simotra në rajon, me qëllim të këmbimit të praktikave dhe përvojave të mira.