Kasami: “Ne nuk kemi njollë në të kaluarën tonë”

Në tubimin përmbyllës të fushatës së Lëvizjes Besa, kryetari dhe njëherit kandidat për kryetar të komunës së Tetovës, Bilall Kasami u është drejtuar të pranishmëve në lidhje me problemet që është duke u ballafaquar komuna e Tetovës. Ai deklaroi se për çdo problem që ka Tetova, ai ka ofruar zgjidhje.

“Programi ynë dhe oferta jonë elektorale është ngritur mbi parime. Parimi kryesor është se komuna është e qytetarit. Dhe kur e diskutuam dhe e ndërtuam këtë parim kryesor të programit tonë e kishim ne parasysh Tetovën, e kishim parasysh Çairin, Gostivarin, Strugën dhe çdo komunë tjetër e cila ishte e mbyllur në kabinetin e kryetarve të këtyre komunave. Prandaj e vënduam parimin bazë, hapjen e komunës ndaj qytetarit, që komuna mos i shërbej vetëm kryetarit dhe të afërmëve të tyre, por t’ju shërbej qytetarëve dhe të zgjidh problemet e tyre. Ne ofruam komunë transparente. Ne ofruam komunë që do të japë llogari para qytetarëve për projektet dhe realizmin e tyre”, deklaron Kasami.

Ai më tej shtoi se kundërshtarët politik përgjatë fushatës i ikën debatit me qytetarët, por më 17 tetor ata nuk mund t’i ikin verdiktit të popullit dhe se ditën e diel ata do të ballafaqohen me qytetarët.
“Ne nuk ikëm nga debatet, sepse ne kemi fytyrë të pastër. Ne nuk kemi njollë në të kaluarën tonë. Bilall Kasami me shokë është prej qytetarëve dhe jeton në mesin e qytetarëve. Ne nuk ikëm, sepse ne nuk kemi ku shkojmë. Unë jam prej Tetove”, është shprehur Kasami ndër të tjera.